E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria e dinte që në tetor 2008, biznesi i Delijorgjit nuk u bllokua

 

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme ka qenë në dijeni se firma “Trans Diggining Construksion” kishte marrë pjesë në ndërtimin e fabrikës së Gërdecit. Në mënyrë zyrtare, katër oficerë të Prokurorisë së Përgjithshme kanë marrë nga zyrat e ushtrisë që në tetor 2008 dokumentet, që tregojnë se ndërtimi i fabrikës së Gërdecit ishte bërë nga kompania “Trans Diggining Construction” ku aksionar ishte edhe i arrestuari për tragjedinë Mihal Delijorgji. Në kohën kur u deklarua se pasuritë e biznesmenit Delijorgji, ishin bllokuar një muaj pas tragjedisë së Gërdecit, kompania që ndërtoi fabrikën e vdekjes qëndron ende në aktivitet edhe pse ka kaluar më tepër se një vit nga ngjarja e ndodhur më 15 mars 2008 në Gërdec. Burime nga Prokuroria nuk mohojnë dijeninë mbi dokumentet, që flasin për kompaninë “Trans Diggining Construction”, por thanë se sekuestrimi i saj ka qenë kompetencë e strukturave vendimmarrëse të çështjes “Gërdeci” që në momentin kur kjo dosje u dërgua në Prokurorinë e Përgjithshme. Deri pak muaj më parë, hetimi drejtohej nga prokurori Zamir Shtylla, i cili u transferua në Elbasan pasi në cilësinë e drejtorit të Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, u akuzua nga maxhoranca si ish-hetues i proceseve politike para viteve 1990 në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›