E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Si u përballa me Altin Dardhën në ‘98"

 

TIRANE – Tyta e kallashnikovit që mbante në dorë Altin Dardha ka qëndruar jo më larg se 10 centimetra nga fytyra e tij. Rifat Torraj dëshmoi dje në Gjykatën e kryeqytetit për një ngjarje të shkurtit 1998, kur një prej krerëve të bandave më kriminale të vitit 1997, i kishte drejtuar automatikun në fytyrë. Dëshmia e Torrajt u dëgjua në seancën e djeshme në ngarkim të Gëzim Kasemit, të akuzuar nga prokuroria si një nga anëtarët e bandës së Altin Dardhës. Gjatë dëshmisë, Torraj rrëfeu se në automjetin ku ishte Altin Dardha kishte parë edhe një djalë të gjakosur, që sipas tij mund të ishte i pandehuri Kasemi. Në seancën e djeshme i pandehuri Kasemi kërkoi nga gjykata shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” në të cilën ndodhet. Sipas avokatit të tij mbrojtës, Kasemi ka kryer 15 muaj e 11 ditë qëndrim në paraburgim dhe përderisa ndaj tij ende nuk është dhënë një vendim ai duhet të lirohet. Për shkak se kërkesa nuk ishte shoqëruar me provat e nevojshme që do të vërtetonin tejkalimin e afateve të paraburgimit, gjykata vendosi të shprehet në seancën e ardhshme në lidhje me këtë kërkesë. Në dëshminë e tij Torraj tha se takimin me “të tmerrshmin” e Beratit e kishte pasur në vitin 1998. Ai po udhëtonte me makinën e tij fuoristradë, nga Berati në drejtim të Uznovës, ndërsa djali i tij Erik Torra ishte në një tjetër makinë pak metra para tij. “Pranë një pike me materiale ndërtimi, shikoj nga pasqyra një automjet tip “Ford fiorino”. Në dritaren e derës së pasme ishte një njeri me trup gjysmë të dalë jashtë, që mbante në dorë një kallashnikov pa qytë. Për moment mendova se janë nga grupet rivale të armatosura dhe mendova se mos do të kishte ndonjë shkëmbim zjarri aty. U afrua makina dhe kur e kisha afër unë u hapa rrugë. Ashtu bëri dhe djali, i cili ndaloi 30 metra përpara. Automjeti “fiorano” u afrua me makinën time, aq sa dyert e asnjërit prej automjeteve nuk mund të hapeshin. Aty, ai (Altin Dardha) më drejtoi automatikun vetëm rreth 10 centimetra larg fytyrës sime. Kjo punë vazhdo për 15 sekonda dhe pastaj ai urdhëroi shoferin ‘Ec!’. Pasi doli makina 2 metra para asaj automjetit tim, i hapen dyert e pasme “Fiorino”-s. Aty pashë një mitraloz të lehtë dykëmbësh. Ishte një person pranë armës. Pashë edhe një djalë të gjakosur në fytyrë. Ai që më drejtoi automatikun ishte Altin Dardha. Pas pak aty kaloi një polic me një motor dhe më pas një makinë policie”, tha ai para gjykatës. I pyetur nga avokatët nëse ishte i pandehuri Kasemi, djali i gjakosur që Torraj kishte parë në automjetin e Altin Dardhës, dëshmitari u përgjigj: Kam bindjen se ky është personi.              ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›