Zbulohet kompania që ndërtoi Gërdecin
Trazhgim Sokolaj
Në kohën kur Gjykata e Lartë pritet të hapë më 4 maj 2009 seancën e parë të dosjes “Gërdeci”, fakte të reja dalin në dritë nga fashikulli i Prokurorisë së Përgjithshme. Dokumentet e ndodhura në dosjen që u dorëzua në Gjykatën e Lartë më 13 mars 2009, tregojnë se fabrika e çmontimit në Gërdec, është ndërtuar prej kompanisë së shumëpërfolur “Trans Diggining Construction”. Ky subjekt është krijuar në shkurt 2006 me pesë aksionerë mes të cilëve Mihal Delijorgji dhe Kristo, vëllai i tij, si dhe Henris Balliu, vajza e botuesit Fahri Balliu. Prokuroria e Përgjithshme ka qenë në dijeni prej vitit 2008 se kompania “Trans Diggining Construction” kishte ndërtuar fabrikën e demontimit në Gërdec. Megjithatë kjo firmë ka mbetur e pa prekur nga bllokimi. Dosja “Gërdeci” e dorëzuar në Gjykatë nga Prokuroria e Përgjithshme, përmban një dokument të Komandës së Brigadës Ajrore. Shkresa i përket datës 11 qershor 2007, me nr.prot 1217 dhe i është drejtuar ish-komandantit të Forcës së Bashkuar gjeneral Shpëtim Spahiu, i pandehur në dosjen “Gërdeci”. “Zoti Gjeneral, siç jeni vënë në dijeni, më datë 28 prill 2007 në Gërdec, ka filluar punën firma private “Trans-Diggining-Construction”. Ju lutem dërgoni shkresën zyrtare për këtë problem.”, thuhet në dokumentin e firmosur nga Komandanti i Brigadës Ajrore, Astrit Jaupi. Shkresa në fjalë dërguar njërit nga gjeneralët kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm, provon se shumë kohë para nisjes së procedurave për urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes, kompania private ku Mihal Delijorgji ishte aksionar, kishte nisur punimet në Gërdec. Më parë aty ndodhej një repart ushtarak tankesh. Objekti kishte mbetur “i lirë” pas asgjësimit të tankeve të ushtrisë shqiptare dhe nxjerrjes së tyre jashtë përdorimit luftarak. Reparti iu dha kompanisë “Albademil” mbi bazën e kontratës së parë me ndërmarrjen MEICO për çmontimin e fishekëve, nënshkruar më 6 qershor 2007. Kompania e Delijorgjit, “Albademil”, nënshkroi më pas një kontratë të dytë më 28 dhjetor 2007, për çmontimin e predhave, duke mbajtur repartin në përdorim, pasi kishte ndërtuar aty fabrikën e demontimit. Më shumë dritë rreth kësaj çështje, hedh një raport i policisë ushtarake, në lidhje me punimet që kryheshin në ish-repartin e Tankeve në Gërdec. Raporti i cili që në krye konsiderohet “dokument konfidencial” i është dërguar ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Luan Hoxha më datë 13 qershor 2007. Titulli i dokumentit është “informacion për veprimtarinë antiligjore në Forcat e Armatosura, për muajin maj 2007”. “Më datë 28 prill 2007, u informuam se në repartin ushtarak nr.3351, Maminas (objekti Gërdec) nga ana e përfaqësuesve të një firme private ishin filluar punime brenda në territorin e repartit. Nga verifikimet e bëra rezulton se, me urdhër gojor të Komandantit të Komandës së Forcës së Bashkuar, gjeneral brigade Shpëtim Spahiu, nga ana e firmës “Trans Diggining Construction” do të kryhen punime në këtë repart për interesa të Forcave të Armatosura. Aktualisht, në këtë objekt janë prishur tri godina, për të cilat deri më datë 26 maj 2007 nuk ka pasur urdhër me shkrim nga Komanda e Forcës së Bashkuar. Konkretisht është prishur terreni sportiv, infermieria dhe lokali i repartit”, thuhet në raportin e policisë ushtarake të firmosur nga drejtori i saj, nënkolonel Drin Nikolla.