Kukës, rriten masat e shërbimit shëndetësor
Qendrat spitalore në rrethet e thella të vendit po rrisin masat për kujdesin shëndetësor. Shërbimi shëndetësor në rrethin e Kukësit ka forcuar masat për mbrojtjen e shëndetit të popullsisë. ”Në këtë periudhë karakteristike për viroza, të cilat përfshijnë moshat e vogla, kryesore është dhënia e ndihmës mjekësore që në fazën e parë çdo pacienti”,- u shpreh mjeku pediatër në spitalin rajonal të Kukësit, Misin Braha. Çdo ditë pranë qendrës spitalore të rrethit kërkojnë ndihmën mjekësore 20 - 25 pacientë në ditë, kryesisht me viroza të stinës. Për këtë është rritur edhe ndihma e mjekut të familjes, institucion që aktualisht funksionon me dy turne. Ndërkohë, ndikim pozitiv në këtë drejtim, ka dhënë edhe rritja e kujdesit shëndetësor në zonat rurale, gjë që ka sjellë që numri i pacientëve për të marrë ndihmën e parë në spitalin rajonal nga këto zona të jetë minimal.
Zonat e thella të vendit, gjatë periudhs së dimrit e kanë të vështirë lëvizjen dhe komunikimin me zonat e tjera rurale, për tu kujdesur për shëndetin dhe për kryerjen e vizitave të shpeshta në qendra shëndetësore më të mëdha. Drejtori rajonal i shërbimit të kujdesit shëndetësor, Feriz Ahmeti, thotë se aktualisht në çdo komunë të rrethit funksionojnë qendrat shëndetësore me mjekë dhe personel të mesëm mjekësor. Ndërsa në çdo fshat funksionojnë ambulanca, ku në shkallë rrethi numri i personelit të mesëm mjekësor që punon në zonat rurale arrin në 119 persona.
7 Prill 2008