E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shperthimet ne Fushe-Kruje 5 ne pranga

Pesë persona janë arrestuar nga policia e Krujës pas urdhërndalimeve që ka lëshuar prokuroria e rrethit gjyqësor të Krujës në lidhje me një seri ngjarjesh që kanë si objekt dëmtimin me eksploziv të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, shtyllat e tensionit të lartë, dëmtimin e urave apo rrugëve nga ku kalojnë mjetet për tek kjo fabrikë.

Në një konferencë për shtyp të drejtorisë së policisë së qarkut Durrës, janë deklaruar emrat e personave të arrestuar për 7 ngjarje që kanë pasur si objekt shperthime me lëndë eksplozive pranë kësaj fabrike. Ata janë Bashkim Zalla 54 vjeç, banues në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, i dënuar më parë për vrasje, djali i tij Edvin Zalla 31 vjeç, Fredjon Zalla 26 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, Afrim Xhixha 35 vjeç nga fshati Nikël dhe Xhabir Vellku 37 vjeç nga fshati Budull.

Në sajë të hetimeve intensive që ka janë kryer muajt e fundit, personat e mësipërm dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer disa vepra penale duke vendosur eksplozivë në 7 raste, nga muaji mars i këtij viti, deri në ngjarjen e një dite më parë ku u hodh në erë shtylla e tensionit të lartë.

Konkretisht në datën 24 mars në kodrën e fshatit Kadias është hedhur në erë shtylla nr 13 e tensionit të lartë që furnizon me energji fabrikën e çimentos në fshatin Zallë të Fushë-Krujës. Në datën 8 prill në fshatin Bubq mbi urën ku kalon linja hekurudhore që shkon tek fabrika e çimentos është vendosur eksploziv që dëmtoi linjën hekurudhore. Në datën 21 prill është vendosur eksploziv në murin e jashtëm të fabrikës.

Në datën 5 maj përsëri në murin rrethues të fabrikës. Në datën 19 maj është dëmtuar ura e fshatit Bardhar, nëpër të cilën kalojnë mjetet e fabrikës. Në datën 8 qershor u dëmtuan me eksploziv dy shtylla të tensionit të lartë, ato me numër 13 dhe 14, ndërsa ngjarja e fundit është ajo e datës 10 qershor, ku u dëmtua ura e fshatit Zallë.

Oligera Muka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›