E Diel, 1 Nëntor 2026

Sefgjini kthehet në zyrë pas dy javë “arrest në shtëpi”

 

TIRANE - Arben Sefgjini, kryetatimori shqiptar u rikthye dje në zyrë, të cilën e braktisi për plot dy javë, pas masës së sigurisë që vendosi ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda. Burime nga Tatimet pohojnë se Sefgjini u paraqit në punë rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe pasi u përshëndet me vartësit pas pak minutash zbriti në njërin prej lokaleve pranë hyrjes së Drejtorisë së Tatimeve për të pirë kafen e mëngjesit, i shoqëruar nga disa prej vartësve të vet. Pas kësaj, mësohet se z. Sefgjini është ngjitur në zyrë ku ka vazhduar të punojë, pa dhënë komente për mediat e interesuara. Sefgjini ish-drejtori i SHIK për Degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve është marrë nën përgjegjësi penale i akuzuar për "rrëmbim me pasojë vdekjen e Remzi Hoxhës", ndërkohë mbi të rëndojnë akuzat e "rrëmbimit" dhe "torturës" ndaj Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Për të njëjtat vepra, që janë kryer në vitin 1995 janë akuzuar prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda edhe Ilir Kumbaro ish-kreu i SHIK në Drejtorinë Qendrore, Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor, të cilët nëse gjenden fajtorë prej togave të zeza në procesin e pritshëm ndaj tyre rrezikojnë dënim që mund të shkojë deri në burg të përjetshëm. Më datë 4 maj të këtij viti Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masat e sigurisë "arrest shtëpie" për tre të pandehurit Sefgjini, Koldashi e Meçe, si dhe "arrest në burg në mungesë" për Kumbaron. Tre ditë më vonë kjo masë sigurie iu komunikua Koldashit e Sefgjinit, ndërsa Meçe ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, kurse Kumbaro rezulton të jetë larguar jashtë Shqipërisë në vitin 1997 dhe aktualisht nuk dihet vendndodhja e tij. Seanca e radhës e procesit në ngarkim së të akuzuarve do të jetë mëngjesin e së premtes, në të cilën pritet që Koldashi e Sefgjini të jenë të pranishëm.   fa.ma

PS: Berisha presion gjykatave
Partia Socialiste reagoi dje pas ndryshimit të masës së sigurisë për drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini. Në një deklaratë për shtyp, deputeti socialist, Marko Bello tha se: "Vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda dëshmon qartë kapjen në nivelin më të lartë të drejtësisë, në shërbim të kryeministrit të vendit dhe qëllimeve të tij politike". Bello akuzoi Kryeministrin Berisha, në atë kohë president, si përgjegjës për zhdukjen e Remzi Hoxhës. "Rrëmbimi, torturimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës është realizuar përmes urdhrave vertikalë, në hierarkinë shtetërore të vendit në vitin 1995". Ai shkon më tej dhe akuzon kryeministrin si i interesuari kryesor për moszbardhjen e këtij krimi siç e cilëson ai "politik".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›