E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre aksidente, për pasojë 2 të vdekur dhe 5 të plagosur

3 aksidente janë shënuar këtë pasdite, për pasojë 2 të vdekur dhe 5 të plagosur. Viktimat janë dy kalimtarë të moshuar të përplasur në zonën e plazhit në Durrës. Ndërsa 5 të plagosurit janë anëtarët e një familje të aksidentuar në aksin Librazhd- Peshkopi. 

DURRËS/ LIBRAZHD- Dy aksidente të ndryshme me pasojë vdekjen e dy të moshuarve kanë ndodhur sot në qytetin e Durrësit. Të dy aksidentet kanë ndodhur në zonën e plazhit.

Në aksidentin e parë një makinë me targë TR 3214 C, e cila drejtohej nga Ermal Koka ka përplasur për vdekje një kalimtar. Viktima është 74-vjeçari Xhevat Nelaj, i cili nuk ka mundur dot ti mbijetojë këtij aksidenti.

Ndërsa në aksidentin e dytë të ndodhur po në qytetin e Durrësit në zonën e plazhit tek “Rrota e kuqe” rreth orës 12 të ditës së sotme, një motorr ka përplasur një kalimtar. Viktima është 73 vjeçari Daut Arifi, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Motorri tip Honda që ka aksidentuar 73 vjeçarin drejtohej nga shtetasi Xhymer Karaboja.

Ndërkohë një tjetër aksident i rëndë automobilistik është shënuar në aksin rrugorë Librazhd- Peshkopi, në vendin e quajtur Tokëz.. Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur 5 persona të lënduar, të cilët bëhet e ditur të jenë anëtarët të një familje.

Shkak i aksidentit mësohet të ketë qenë dalja nga rruga e automjetit tip fuoristradë si rezultat i shpejtësisë së madhe dhe përmbysja e tij.. Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur Petrit, Edi dhe Florian Koxha, si dhe Blerina e Besim Koxha, që udhëtonin në Fuoristradën me targa të huaja M 593 JRK

Në gjendje më të rëndë shëndetësore nga të plagosurit paraqitet Petrit dhe Edi Koxha që po marrin ndihmën e nevojshme në spitalin e Elbasanit. Kurse tre pjesëtarët e tjerë Blerina, Besim dhe Florjan Koxha paraqiten më lehtë dhe ndodhen të shtruar në spitalin e Librazhdit. (a.r/balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›