Rooney vendos derbin, United fiton 2-1

Wayne Rooney shënoi të dy golat e Manchester Unitedit në fitoren 2-1 ndaj Liverpoolit në kryendeshjen e xhiros së 25-të në Premierligë.
Djajtë e Kuq morën tri pikë të arta në garë për titull dhe u ngritën në pozitën e parë në tabelë me 58 pikë, një më tepër se Manchester City që nesër luan me Aston Villan. Të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë.
United kaloi në epërsi në minutën e 47-të kur Rooney tregoi reflekset e tij prej golashënuesit duke shënuar nga afërsia. Vetëm tre minuta më vonë, sulmuesi anglez e dyfishoi epërsinë e vendasve duke mposhtur portierin Pepe Reina pas shërbimit të mirë nga Antonio Valencia.
United e administroi lojën por fitorja e tyre u vë në dyshim kur Luis Suarez ngushtoi rezultatin në 2-1, në minutën e 80-të. Mirëpo, vendasit rezistuan dhe mposhtën Liverpoolin.