E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta, PD merr votat e aleatëve

PD-ja shmang përplasjet me aleatët dhe njerëzit kundër saj, duke bërë që ndryshimet kushtetuese të votohen pro nga 115 deputetë gjithsej. Votat kundër ndryshimeve kushtetuese kanë qenë të 17 deputetëve dhe abstenuese katër prej tyre.

BLEDAR HOTI

Seanca maratonë për ndryshimet kushtetuese ka bërë që PS-ja dhe PD-ja, së bashku me një pjesë të aleatëve si demokristianë, republikanë dhe reformatorë të realizojnë votimin për ndryshimet kushtetuese në vend. Ndërsa jo të gjithë të deklaruarit si mbështetës të presidentit Topi i kanë qëndruar në krah atij, përsa i përket ndryshimeve kushtetuese. Neni shumë i debatuar, “Për ndryshim e procedurave të zgjedhjes së presidentit” ka marrë më shumë vota kundër se të gjithë të tjerët gjatë këtij votimi. Ndërsa në të gjitha votimet e neneve PSD-ja dhe LSI-ja kanë votuar kundër ose kanë abstenuar me votën e tyre. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, edhe pse i pranishëm nuk ka marrë pjesë në asnjë votim të 10 neneve për ndryshimin e Kushtetutës. Gjatë votimit në tërësi nga grupi i PS-së, vetëm Luan Memushi dhe Petro Koçi votuan kundër. Ata votuan kundër gjatë gjithë kohës kur u krye dhe votimi nen për nen.
Neni 87
Kundër këtij neni votuan kundër 24 deputetë të kampeve të ndryshme politike. Vetëm katër mbështetës të Topit brenda grupit PD-së votuan hapur kundër nenit 87. Ndërsa ra në sy mosvotimi i këtij neni nga Nard Ndoka i PDK-së dhe Fatmir Mediu i PR-së, të cilët janë edhe firmëtarët e nismës për zgjedhjen e kreut të shtetit nga populli. Mbështetësit e Topit brenda gjirit të së djathtës që votuan kundër janë Sami Gjergji, Rexhep Uka, Spartak Ngjela, Nikollë Lesi, Bujar Leskaj, Dashnor Sulaj, Arian Madhi, Spiro Peçi. Ndërsa dy deputetët e tjerë pro Topit, Ndriçim Babasi dhe Pal Dajçi votuan pro nenit 87, që presidenti të zgjidhej me shumicë të thjeshtë, me 71 vota në raundin e katërt dhe të pestë. Nga të majtët që votuan kundër këtij neni mund të përmendim Bejtja, Ceka, Çuli, Dedja, Divjaka, Gjinushi, Koçi, Kola, Lamaj, Legisi, Memushi, Milo, Neranxi, Prifti dhe Xhufi. Ndërsa mbështetësit e tjerë pro Topit dhe nismës për president nga populli si Sali Shehu, Besnik Mustafaj, abstenuan me votat e tyre.
Sistemi proporcional
Sistemi proporcional rajonal mori më pak vota kundër, pasi një pjesë e aleatëve të PD-së votuan pro këtij sistemi dhe pse i eliminon ato politikisht. Kështu drejtuesit e koalicionit qeveritar, të partive të vogla, Fatmir Mediu i PR-së, Lufter Xhuveli i PAA-së, Nard Ndoka i PDK-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe Genc Pollo i PDR-së votuan pro sistemit spanjoll rajonal, edhe pse e ardhmja politike e partive të tyre mund të vihej në rrezik. Pro ndryshimit të nenit 64, votuan 118 deputetë, 13 deputetë të tjerë votuan kundër dhe një prej tyre abstenuan. Ndërsa për nenin që pëson ndryshime me lista të mbyllura zgjedhore votuan pro 112 deputetë, kundër 18 deputetë dhe abstenoi vetëm 1 deputet. Ngjela, Ceka, Koçi, Legisi, Braho, Peçi, Prifti dhe Xhufi janë deputetët që kanë votuar kundër në të gjitha nenet për ndryshimin e Kushtetutës. Ndërsa në këtë seancë nuk kanë marrë fare pjesë Fatos Nano i PS-së dhe Hajrulla Paturri i PR-së. Gjatë votimit të neneve të tjera mbështetësit e presidentit Topi votuan njësoj me grupin e PD-së.

Votat kundër nenit 87

1. Engjëll Bejtja         2. Spartak Braho
3. Neritan Ceka
4. Diana Çuli
5. Taulant Dedja
6. Sami Gjergji
7. Skënder Gjinushi
8. Artur Hasanbelliu
9. Petro Koçi
10. Angjelina Kola
11. Durim Lamaj
12. Ndre Legisi
13. Nikollë Lesi
14. Bujar Leskaj
15. Arian Madhi
16. Luan Memushi
17. Paskal Milo
18. Nikolla Neranxi
19. Spartak Ngjela
20. Spiro Peçi
21. Dritan Prifti
22. Dashnor Sulaj
23. Rexhep Uka
24. Pëllumb Xhufi

Abstenuan
1. Albert Divjaka
2. Gëzim Musabelliu
3. Besnik Mustafaj
4. Sali Shehu

Nuk votuan
1. Ilir Meta
2. Nard Ndoka
3. Fatmir Mediu

NENET E VOTUARA DJE

Votimi në parim për Kushtetutën
Vota pro                            117 deputetë
Vota kundër                            14 deputetë
Vota abstenim                        4 deputetë

Votimi në tërësi për Kushtetutën
Vota pro                             115 deputetë
Vota kundër                             17 deputetë
Vota abstenim                         3 deputetë

Neni 1, ndryshim i nenit 64
Ndryshimi i sistemin zgjedhor, në proporcional rajonal
Vota pro                            118 deputetë
Vota kundër                            14 deputetë
Vota abstenuese                        1 deputet

Neni 2, ndryshon nenin 65 të Kushtetutës
Ndryshon afatin kur mblidhet Kuvendi
Vota pro                            118 deputetë
Vota kundër                            13 deputetë
Vota abstenim                        1 deputet

Neni 3, ndryshon nenin 67 të Kushtetutës
Ndryshohet afati i mbledhjes së Kuvendit nga ana e presidentit
Vota pro                             118 deputetë
Vota kundër                            12 deputetë
Vota abstenim                        1 deputet

Neni 4, ndryshon nenin 68 të Kushtetutës
Ndryshon mënyrën e paraqitjes së listave të mbyllura të kandidatëve
Vota pro                             112 deputetë
Vota kundër                             18 deputetë
Vota abstenim                        1 deputet

Neni 5, ndryshimi i nenit 87
Zgjedhja e presidentit me shumicë të thjeshtë
Vota pro                             105 deputetë
Vota kundër                             24 deputetë
Vota abstenim                        4 deputetë

Neni 6, ndryshimi i nenit 88
Ndryshon mandatin e presidentit të vendit
Vota pro                             115 deputetë
Vota kundër                            16 deputetë
Vota abstenim                        1 deputet

Neni 7, ndryshim i nenit 104
Ndryshon mocionin e besimit ndaj kryeministrit, duke rrezikuar
zgjedhje të parakohshme
Vota pro                             116 deputetë
Vota kundër                             14 deputetë
Vota abstenim                        3 deputetë

Neni 8, ndryshim i nenit 105
Ndryshon procedura e mocioni të mosbesimit ndaj kryeministrit
Vota pro                            117 deputetë
Vota kundër                            14 deputetë
Vota abstenim                           2 deputetë

Neni 9, ndryshim i nenit 149
Mandati i prokurorit të Përgjithshëm deri në 5 vjet
Vota pro                             117 deputetë
Vota kundër                             12 deputetë
Vota abstenim                         4 deputetë

Neni 10, ndryshimi i pjesës 12 të Kushtetutës
Shfuqizimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Vota pro                             114 deputetë
Vota kundër                             14 deputetë
Vota abstenim                         4 deputetë

Neni 11, hyrja në fuqi e ligjit
Vota pro                             116 deputetë
Vota kundër                             12 deputetë
Vota abstenim                         2 deputetë

VOTAT KUNDER PROPORCIONALIT

1. Engjëll Bejtja
2. Spartak Braho
3. Neritan Ceka
4. Taulant Dedja
5. Petro Koçi
6. Dritan Prifti
7. Durim Lamaj
8. Ndre Legisi
9. Luan Memushi
10. Paskal Milo
11. Nikollaq Neranxi
12.    Spartak Ngjela
13.    Pëllumb Xhufi

Abstenim
1. Gëzim Musabelliu

Tërhiqet Berisha, aleatët zona të sigurta

Janë dashur plot tre takime brenda 2 orësh, mes kryeministrit Berisha dhe partive të koalicionit të djathtë për të siguruar marrëveshjen mes tyre për sistemin e ri zgjedhor.

Ashtu si edhe në takimin e para pak ditësh krerët e partive aleate janë paraqitur në takimin e parë me kryeministrin, në zyrën e këtij të fundit, me propozimin që të kenë emrat e tyre në lista për ta pasur të sigurt një vend në Parlament pas zgjedhjeve të ardhshme. Fillimisht kjo tezë e aleatëve nuk është pranuar nga kryeministri Berisha dhe megjithëse në zyrën e tij është zhvilluar një debat prej gati 45 minutash, nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ky takim i parë mes tyre është ndërprerë përgjysmë për shkak se krerët e partive parlamentare dhe kryeministri Berisha duhet të ishin në Kuvend, ku do të mbante një fjalë përshëndetëse presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç. Pas fjalës së kreut të shtetit kroat, një tjetër takim është zhvilluar mes kryeministrit Berisha dhe partive aleate. Madje, ky takim i detyruar në prag të votimit të paketës kushtetuese, ka bërë që të gjithë deputetët të qëndrojnë për pak kohë jashtë ambienteve të Parlamentit deri në përfundim të këtij takimi. Por edhe këtë radhë takimi mes tyre ka përfunduar pa asnjë rezultat, ç’ka ka sjellë rifillimin e seancës nga njëra anë dhe largimin nga Kuvendi të kryeministrit Berisha dhe krerëve të partive aleate sërish për në Kryeministri për të negociuar sërish. Në këtë takim, i gjendur edhe përballë idesë për ndonjë surprizë të pakëndshme të votave brenda partisë së tij dhe rrezikimit të shifrës 94 (e mjaftueshme për të miratuar paketën kushtetuese), kryeministri Berisha është tërhequr përfundimisht. Në këtë mënyrë kreu i qeverisë ka pranuar që emrat e krerëve të partive aleate të jenë në lista të sigurta, por duke lënë të hapur variantin që do të vendoset përfundimisht për mënyrën e bashkëpunimit mes tyre. Burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur se, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ka kërkuar siguri që sistemi proporcional rajonal nuk do të dëmtojë partitë e vogla. Kryeministri Berisha mësohet të ketë dhënë pikërisht këtë garanci duke thënë se, çdo votë që do të jetë për partitë e vogla do të përkthehet në deputet.
Në Parlament
Pasi ka marrë garancinë e aleatëve për ndryshimet kushtetuese në Kuvend, kreu i qeverisë për rreth 15 minuta ka mbrojtur para deputetëve draftin e ri, që iu ishte paraqitur për miratim. Duke kërkuar me çdo kusht ndryshimin e sistemit zgjedhor, kryeministri Berisha pranoi për herë të parë se në zgjedhjet e vitit 2005 koalicioni që ishte në pushtet deri në atë kohë mori më shumë vota, por falë këtij sistemi është e djathta në pushtet. “Ne jemi në politikë për t’u ndarë me ato që s’shkojnë. Pse i personalizoni gjërat. Ja ku janë këta zotërinjtë, kanë marrë më shumë vota se unë, këtu jam unë në pushtet. Kjo është e vërtetë, nuk i mohoj gjërat. Unë që jam në pushtet, çfarë leverdie personale paskam për të ndërruar sistemin. Ka interesa vendi”, u shpreh kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, me vendimin e Kuvendit, Kushtetuta merr ngjyra perëndimore. “Me anëtarësimin e vendit në NATO ndodhi diçka shumë e madhe, që u bë shkak për një ndryshim cilësor, madhor të kulturës politike në vend. Paketa kushtetuese është ndjenja e thellë e përgjegjësisë e forcave politike dhe e përpjekjeve të tyre për ta çuar Shqipërinë aty ku e meriton”, u shpreh kryeministri. Përsa i takon ndryshimeve në mënyrën e zgjedhjes së presidentit, kryeministri Berisha konfirmoi se, me ndryshimin e nenit 87 “i heqim vendit nenin e krizës”. Madje, për të argumentuar heqjen e këtij neni, kryeministri Berisha ka kujtuar negociatat e zhvilluara në vitin 2002 dhe 2007 për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. “Presidenti Topi ka qenë, është dhe do të mbetet një bashkëpunëtor i imi. Ne po i heqim vendit nenin e krizës. Sa depersonalizuese kanë qenë dy raundet e fundit të votimit në Kuvend të presidentit, ndaj nuk mund të pranohet më votimi me tre të pestat, pasi e fuste në krizë institucionin kryesor të stabilitetit të vendit, tre muaj para”, tha Berisha. 

“Berisha peng i mafies”

Kreu i LDK-së, Nikollë Lesi, tha dje në Kuvend se, kryeministri Berisha është peng i një grupi mafioz që sollën Gërdecin dhe po i sjellin një kosto të madhe politike Partisë Demokratike. “Kam qenë një nga mbështetësit tuaj edhe me sy mbyllur, por kam përshtypjen se si pjesë e kësaj maxhorance, ti po pranon të ngulin gozhdën e zgjedhjeve të 2009 që të të mbajnë peng dhe të të detyrojë t’i mbledhësh 3 herë. Nuk e dua atë gozhdë në trupin e PD-së, por je nën presionin e një grupi mafioz që të sollën Gërdecin, që ta lanë nëpër këmbë. Tek neni 87, pika 4 unë kam firmosur me një kusht, tek pjesa e parë që presidenti të zgjidhet nga populli. Presidenti nuk mund të jetë anëtar bordi”, është shprehur Lesi.

“Nuk duam të marrim nga PD”

Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka kritikuar sërish sistemin proporcional rajonal, me të cilin do të votohet në zgjedhjet e ardhshme. Duke folur në Kuvend Mediu tha se, partitë e koalicionit nuk duan të marrin gjë prej PD-së, por të marrin atë që u takon. “As i është kërkuar dhe i kërkohet t’i merret ndonjë gjë PD-së, ne kërkuam si njerëz koshientë të mos presim degën ku qëndrojmë të gjithë bashkë të marrim atë që na takon. Të mos ketë merak kurrkush se do të merret ajo që nuk i takon njërit subjekt apo tjetrit. Do t’i thosha ndonjë kolegu të penduar që është në Kuvend se, e paskan prurë të tjerët, ai duhet të jetë i penduar me ata që beson se janë votuesit e tij, për një arsye të thjeshtë, se për një herë të vetme duhet të tregojnë se janë deputetë”, theksoi Mediu.

Ujka: PD e PS po shohin spektaklin tonë

Kryetari i grupit parlamentar demokristian, Pashko Ujka, ka mbështetur dje në Kuvend nismën e dy partive të mëdha për paketën kushtetuese. "Partia Demokratike dhe Partia Socialiste është një nga të paktat herë që po rrinë e po na dëgjojnë ne të vegjëlve që po bëjmë spektakël", u shpreh Ujka në fjalën e tij në Kuvend. Në të njëjtën kohë ai ka qenë kritik edhe për çështjen e sistemit zgjedhor, për të cilin kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka zhvilluar dje së bashku me aleatët e tjerë tre takime me kryeministrin Berisha. "Neve na është rritur shumë mendja dhe këtë defekt e keni ju. Përsa i takon sistemit them që ky është i qartë dhe njerëzit e presin", theksoi më tej deputeti demokristian. Lidhur me ndryshimet e paraqitura në paketën kushtetuese për çështjen e presidentit, Ujka ishte kritik me qëndrimin e kreut aktual të shtetit, Bamir Topi. "Për çfarë arsye sillet kështu Topi kur ka edhe katër vjet mandat?", ka theksuar më tej Ujka. Ndërkohë gjatë paradites së djeshme demokristianët kanë qenë të përçarë për mënyrën se si do të vononin në Kuvend ku deklarata se kreut të grupit Ujka se 4 deputetë do të votojnë pro ndryshimeve u pasua nga një deklaratë e zëdhënëses së PDK-së sipas së cilës votat e kësaj force do të jenë unanime.

Batutat

Megjithë tensionin e madh në Kuvend lidhur me numrin e votave, kjo nuk ka penguar kryeministrin Berisha dhe deputetin e PS-së, Ben Blushi, për të shkëmbyer disa batuta mes tyre.
Berisha: E kishe shkruar bukur librin, por ja ke vjedhur Dhimitrit (gjyshi Dhimitër Shuteriqi).
Blushi: E kam shkruar vetë.
Berisha: E ke vjedhur, duket që e ke pasur zakon që i vogël.
Blushi: Unë të paktën vjedh libra, jo si yt bir që vjedh fishekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›