E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Gërdec, lojë me vdekjen çdo ditë

Në fabrikën e çmontimit të predhave dhe municioneve që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit është luajtur me vdekjen çdo ditë.

Trazhgim Sokolaj

Si pasojë e mbingarkesës, karrocat që transportonin barutin thyheshin e më pas saldoheshin brenda fabrikës duke shkaktuar shkëndija fare pranë predhave e barutit. Prokuroria i ka përqendruar hetimet në pistën e shkaktimit të zjarrit nga saldimi i një prej karrocave që përdorej për transportin e barutit. Shkëndijat e pajisjes së saldimit i kanë vënë flakën barutit pranë karrocës dhe më pas zjarri është përhapur, duke aktivizuar predhat. Këto të fundit kanë goditur 32 kontenjerët e mbushur me 500-600 tonë barut duke shkaktuar shpërthimin katastrofik, që pasoi me 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur më 15 mars të këtij viti. Në këtë mënyrë, pavarësisht se burimet e Prokurorisë refuzojnë të japin konfirmim, mësohet se grupi i hetimit e ka përjashtuar mundësinë që zjarri që shkaktoi shpërthimin në Gërdec të ketë ardhur nga jashtë fabrikës. Ajo ishte e rrethuar me një llamarinë 5 metra të lartë dhe në këto kushte ndërhyrja nga jashtë duket e vështirë. Sipas burimeve të konfirmuara në vendin e ngjarjes, grupi i hetimit ka gjetur katër karroca me gjurmë të dukshme saldimi. Ato kishin mbetur rreth 10 metra larg portës hyrëse të fabrikës dhe nuk ishin dëmtuar shumë nga shpërthimi pasi kanë qenë larg kontenjerëve. Sipas hetimeve, shpërthimet e fuqishme kanë ndodhur pikërisht tek kontenjerët ku ishte grumbulluar një sasi e madhe baruti prej 500-600 tonë. Për shkak se karrocat nuk ishin dëmtuar, Prokuroria ka mundur t’i verifikojë me hollësi dhe të zbulojë në secilën prej tyre, gjurmë të dallueshme saldimi. Secila prej karrocave, dyshohet se nga mbingarkesa e madhe dëmtohej gati çdo ditë dhe gjithnjë ato saldoheshin brenda fabrikës për t’u rivendosur në punë për transportimin e barutit.
Kontrata e dytë
Sikur të mos mjaftonin dhjetëra parregullsi teknike e ligjore në kontratën e dytë të nënshkruar mes ndërmarrjes MEICO dhe firmës amerikane SAC, e cila tri ditë më pas futi në lojë Mihal Delijorgjin, kjo kontratë, duket se ka shkaktuar edhe një problem tjetër. Pas nënshkrimit të saj më 28 dhjetor 2007, në punishten e Gërdecit do të çmontoheshin predha të kalibrave nga 37 deri në 152 mm. Ky lloj municioni i artilerisë së rëndë përmbante sasi të mëdha baruti, pasi edhe gëzhojat e predhave ishin të mëdha. Si rrjedhim sasia e barutit që dilte nga çmontimi i predhave në bazë të kontratës së 28 dhjetorit 2007, është rritur dukshëm krahasuar me kohën kur aty çmontoheshin fishekë të kalibrave të vegjël. Në këtë mënyrë, drejtuesit e fabrikës kanë futur në punë katër karroca të cilat si pasojë e sasisë së madhe të barutit që dilte nga çmontimi, mbingarkoheshin për ta transportuar atë sa më shpejt jashtë fabrikës. “Kur çmontoheshin fishekët, transportimi i barutit jashtë fabrikës bëhej me qese, ndërsa kur filluan predhat, baruti nxirrej jashtë me thasë përmes karrocave”, thanë burimet nga hetimi. Për pasojë të mbingarkesës së karrocave ato thyheshin vazhdimisht ndërsa saldimi i tyre ishte i detyrueshëm për të vazhduar punën. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe pak minuta para mesditës së 15 marsit të këtij viti. Njëra nga katër karrocat është thyer dhe saldimi i saj është kryer brenda fabrikës, madje kur në karrocë ndodheshin 3 thasë me barut. Jo shumë larg karrocës së dëmtuar kanë qenë edhe tri karrocat tjera, siç dyshohet edhe ato të ngarkuara me nga tre thasë barut. Një fakt i tillë është konfirmuar nga ekspertët e ushtrisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë gjetur katër gropa në beton pikërisht në vendin ku ndodheshin karrocat. Sipas ekspertëve, në momentin e djegies e shpërthimit, baruti fuqinë e tij e ushtron nga poshtë. Në këtë mënyrë djegia e shpërthimi i barutit në karroca, ka shkaktuar edhe gropat në beton. Prova të tilla janë verifikuar nga grupi i hetimit të cilit i është dashur të futet në zonën e shpërthimeve dhe të këqyrë vendin e ngjarjes mes rrezikut të predhave aktive.   

Amerikanët dyshuan tek saldimi i karrocës

TIRANE – Përcaktimi i pistës hetimore sipas të cilës shpërthimi në fabrikën e çmontimit në Gërdec u shkaktua nga saldimi i karrocës që transportonte barut është bërë me ndihmën e agjentëve të Byrosë amerikane ATF, të cilët për më tepër se një javë ndihmuan Prokurorinë shqiptare në hetimin e ngjarjes. Hetuesit amerikanë kanë qenë në mbështetje të versionit se shpërthimi ishte shkaktuar nga zjarri i rënë gjatë saldimit, vetëm dhjetë metra në hyrje të fabrikës, ku në fakt ndodhej në momentin e ngjarjes edhe karroca që ishte dëmtuar. Agjentët amerikanë kanë përllogaritur gjatë hetimeve të tyre edhe sasinë e mundshme të barutit dhe predhave që ndodheshin në Gërdec ditën kur ndodh tragjedia. Sipas tyre, në 30-32 kontenjerët që ndodheshin në të djathtë të hyrjes së fabrikës ndodheshin 500-600 tonë barut që ishte lënë të grumbullohej pa u larguar që aty. Të dhënat e përllogaritura nga amerikanët dhe Prokuroria shqiptare tregojnë se më 15 mars në fabrikën e Gërdecit ndodheshin të grumbulluara edhe 15 mijë predha, shumica e të cilave besohet se kanë shpërthyer mes flakëve.
 

Kërkohen për t’u pyetur personat që bënë saldimin, rezultojnë të vdekur

TIRANE – Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit pas përqendrimit të hetimeve në pistën e shkaktimit të zjarrit si pasojë e saldimit në karrocë, ka kërkuar të marrë në pyetje personat, që po riparonin mjetin me të cilin transportohej baruti. Identiteti i tyre është mësuar nga deklarimet që janë dhënë prej punëtorëve të mbijetuar, të cilët atë ditë ndodheshin në fabrikën e demontimit në Gërdec. Sipas burimeve të hetimit, Prokuroria i kërkoi këta persona pasi mësoi emrat e tyre, po verifikimet provuan se ata ndodheshin mes viktimave të tragjedisë pasi shpërthimi kishte shkaktuar vdekjen e tyre. Saldimi i karrocës që dyshohet se është bërë shkak për rënien e zjarrit dhe më pas përhapjen e tij në barutin që ndodhej përtokë, është bërë sipas hetimeve, rreth 10 metra në hyrje të fabrikës së çmontimit larg portës hyrëse të saj. Gjithsesi personat që kanë qenë duke salduar karrocën e thyer nuk kanë arritur t’i mbijetojnë tragjedisë pasi kanë pësuar dëmtime të shumta, që u kanë shkaktuar vdekjen. Sipas hetimeve të Prokurorisë, kanë qenë pikërisht shkëndijat e saldimit ato që i kanë vënë flakën barutit që ishte ngarkuar në karrocë. Si pasojë e këtij zjarri flakët janë përhapur në barutin që gjendej përtokë. Djegia e këtij të fundit ka aktivizuar dhjetëra predha të hedhura pa kujdes, disa prej të cilave kanë goditur kontenjerët që ishin mbushur me barutin e dalë nga demontimi. Predhat që i kanë goditur ata, kanë aktivizuar djegien e barutit të grumbulluar duke shkaktuar shpërthimet e fuqishme. Krateret më të mëdha të shpërthimeve kanë mbetur pikërisht në zonën ku ndodheshin kontenjerët e barutit, në krah të djathtë të portës hyrëse të fabrikës së demontimit të predhave e municioneve.                 tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›