E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandatohen edhe 7 kryetarë gjykatash

Dita e dytë e garës për krerët e shtatë gjykatave të Faktit në vend, nis me debat midis konkurrentëve me njëri-tjetrin.

Fatos Mahmutaj 

 Ndërkohë, nuk mungoi as debati midis kandidatëve për postet e krerëve të gjykatës me anëtarët e KLD-së dhe ministrin e Drejtësisë. Debati nisi, pasi numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në cilësinë e moderatorit të takimit mbajti fjalën hyrëse të ditës së dytë të garës. Spahiu gjatë fjalës së vet, duke iu drejtuar gjyqtarëve konkurrentë pohoi se: "Eshtë e kuptueshme me gjithë dëshirën, ku mund të kishte emra edhe më të mirë, por është krejt normale që zgjedhja e KLD-së do të jetë brenda kandidaturave të prezantuara gjatë këtyre dy ditëve dhe që plotësojnë kriteret ligjore. Kjo është gjendja e pushtetit gjyqësor, ky është niveli juaj dhe i profesionistëve dhe ne jemi të detyruar, por që padyshim ne kemi edhe përgjegjësinë tonë morale, për të zgjedhur më të mirën brenda këtyre alternativave ligjore që na ofrohen". Edhe dje, takimi u zhvillua jashtë ambienteve të KLD-së, duke zbatuar praktikën e re, të specifikuar në ligjin "Për gjyqësorin" dhe të shoqëruar edhe me aktet dhe normat e parashikuar nga vendimet e KLD-së. Përpara anëtarëve të Këshillit dhe kolegëve të tyre 25 gjyqtarë të rretheve Kukës, Mat, Kurbin, Lezhë, Pogradec, Pukë e Tropojë paraqitën projektet e tyre për të zënë vendet e krerëve të institucioneve ku punojnë. Ndërsa, duke komentuar votimin e dy ditëve më parë për përzgjedhjen e nëntë anëtarëve të rinj të pesë gjykatave të Apelit dhe Faktit, Spahiu tha se praktikisht gjykonte që kandidaturat që kanë fituar, pavarësisht se në disa raste ka pasur edhe diskutime në votim, shumica kanë qenë votë me konsensus të gjerë midis anëtarëve të KLD-së. Në lidhje me kryetarët e rinj Spahiu vlerësoi se janë një prurje cilësore në drejtimin e gjykatave. "Ne jemi të ndërgjegjshëm që e mira nuk është absolute, sidomos kur bëhet fjalë për drejtimin e gjykatave dhe drejtimin profesional të gjyqtarëve. Ne shpresojmë të kemi mirëkuptimin e komunitetit të gjyqtarëve dhe publikut. Në fund të fundit, zgjedhjet tona synojnë të përafrojnë përqasjen me publikun, për të sjellë një frymë të re në drejtimin e gjykatave", tha Spahiu, cili shtoi se: "Në mënyrë absolute mund të ketë emra dhe juristë me të mirë, por si pasojë e kufizimeve, limitimit dhe mundësive të kushtëzuara dhe parashikuara në ligj, Këshilli ka qenë i detyruar të zgjedhë brenda kandidaturave që kanë plotësuar parametrat ligjorë dhe që kanë aspiruar me vullnetin e tyre për të drejtuar gjykatat ku punojnë". Ndërkohë, pasditen e djeshme anëtarët e KLD-së u mblodhën në sallën kryesore të institucionit të tyre, ku votuan shtatë krerë të rinj gjykatash Fakti. Kështu, votimi vendosi se kreu i Gjykatës së Kukësit për katër vjet do të jetë gjyqtari i këtij institucioni Flamur Kapllani; në Kurbin Alfred Gjoni; në Lezhë Fjoralba Prifti; në Mat Artan Çupi; në Pogradec Niko Rapi; në Pukë Shtjefën Lleshi dhe në Tropojë Dritan Seci.

Krerët e rinj

Gjykata e Kukësit,             Flamur Kapllani
Gjykata e Kurbinit,             Alfred Gjoni
Gjykata e Lezhës,             Fjoralba Prifti
Gjykata e Matit,             Artan Çupi
Gjykata e Pogradecit,             Niko Rapi
Gjykata e Pukës,             Shtjefën Lleshi
Gjykata e Tropojës,             Dritan Seci

Mandatet

Gjatë muajit të ardhshëm, pritet që KLD të zgjedhë edhe krerët e disa gjykatave të tjera të Faktit, mes tyre edhe të Krimeve të Rënda, mandati i kryetarëve aktualë së të cilave përfundon, pasi mbushin afatin katërvjeçar. Në ligjin e ri "Për gjyqësorin", parashikohet se mandati i krerëve të gjykatave kufizohet në katër vjet, ndërkohë nuk ka limit për rizgjedhjen në detyrë, nëse fiton garën e hapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›