E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazaret e tokave, të bllokohen pronat e "zyrtarëve" të Kasharit

TIRANE - Policia e Prokuroria kërkojnë ngrirjen e të gjitha pasurive të paluajtshme dhe llogarive bankare të Bashkim Kusit dhe Nuri Valiasit, të arrestuar gjatë operacionit "Kashari 2", dy ditë më parë.

Lajmi është pohuar dje për gazetën "Panorama", nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilat shtuan se bashkë me prokurorinë ata kanë përgatitur një procedurë të tillë që nënkupton, ngrirjen e pasurive të personave të arrestuar me akuzën e shitjes dhe tokave pa dijeninë e pronarëve në zonën e Kasharit. Sipas burimeve policore, një veprim i tillë do të thotë që të gjitha vlerat financiare dhe llogaritë bankare që posedojnë të arrestuarit, si dhe pronat e paluajtshme do të bllokohen në interes të hetimit. Pasuritë e mësipërme sipas policisë dyshohet se, mund të jenë vënë në rrugë të paligjshme, duke përfituar nga shitja dhe tjetërsimi i pronave të personave të ndryshëm banorë të zonës së Kasharit. Më pas pronat e tjetërsuara, iu shiteshin të tretëve kundrejt vlerave të konsiderueshme financiare që përfitoheshin nga anëtarët e këshillit të pushtetit lokal në Komunën e Kasharit. Pas këtij veprimi blerësit e rinj, pajiseshin në Hipotekë edhe me certifikatën përkatëse të pronësisë së sipërfaqes që kishin blerë. Bashkim Kusi dhe Nuri Valiasi, u arrestuan nga zyra e Antikorrupsionit të Policisë së Tiranës, me urdhër të Task-Force në Prokurorinë e kryeqytetit. Në momentin e arrestimit, policia u ka bllokuar personave nga një automjet si dhe dokumente dhe sende që sipas policisë hidhnin dritë mbi abuzimet e të arrestuarve. Në banesat e tyre, policia ka gjetur me dhjetëra dokumente si akte pronësie, certifikata, harta, plane vendosje, që dyshohet se mund të ishin falsifikuar ose në proces falsifikimi. Dy të arrestuarit e djeshëm si dhe dy të tjerë në kërkim, pritet t'i bashkëngjiten hetimit të pjesës së parë të arrestuarve të operacionit "Kashari". Abuzimet me pronat në këtë zonë, çuan në pranga thuajse gjysmën e administratës dhe të zgjedhurve vendorë të kësaj komune.                                d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›