E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kule: Korrupsionit po i japim të drejtën e qytetarisë

13/05/2005  Dekani i Fakultetit Ekonomik: Korrupsioni duhet luftuar, jo ligjëruar. Në arsim luftohet duke hequr konkurset

Sipas Dekanit të Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, nuk është e nevojshme vetëm të pohojmë korrupsionin, pasi kështu e ligjërojmë atë, por të gjenden mënyra efikase për të ulur mundësitë e korrupsionit dhe, kjo bëhet duke mos dëmtuar tregun. Në universitete, kjo arrihet duke hequr konkurset si kriter pranimi.

Çfarë mendoni mbi sondazhin ku studentët kanë pohuar mitmarrjen e pedagogëve?

Sondazhe të tilla kanë një problem, meqë korrupsioni është objekt diskutimi gjithandej dhe po merr të drejtën e qytetarisë, duan ta bëjnë sa më masive. Duan të rrënojnë baltën e tyre, duan të na bashkojnë në batakun e tyre, ta kenë përkrah dhe mësuesin, pasi kështu dalin më të pastër vetë. Është bërë një studim, që i është paraqitur gjithë institucioneve dhe organizmave, ku mësuesi ishte i fundit në hierarkinë e korrupsionit, përse duan ta bëjnë patjetër të parin. Sepse, nëse i thua publikut që dhe mësuesi është i korrptuar, i bie vlera atij që vërtet është i korruptuar. Edhe në mesjetë, në shoqëritë më obskurantiste, figura e mësuesit nuk është përbaltur kështu. Me këtë logjikë do të nxjerrim dhe Muhametin e Jezusin të korruptuar.

Mendoni se korrupsioni është problem në arsim?

Ky sondazh ka bërë lojën e të korruptuarve. Nuk është ky problemi i arsimit, problemi është cilësia dhe përmbajtja.

Eshtë evidentuar se s´mund t'i thuash pedagog atij që s'është i tillë. S'ka asnjë vend të botës ku pedagog bëhesh edhe pa mbrojtur doktoraturën. Këtë e ka bërë politika tek ne. Ata që flasin, personat që kanë bërë sondazhin, ne nuk mundëm t'i quanim pedadogë. Dhe, pikërisht për këtë arsye, ky pedagog na sulmon.

Ju mendoni se ky sondazh nuk ka në vetvete si qëllim pohimin e korrupsionit?

Logjika është e thjeshtë, duan të bëjnë sensacion dhe kjo është t’i shërbesh korrupsionit. Ata duan të japin idenë që korrupsioni është gjithandej dhe nuk mund të luftohet. Por, nëse duan të luftojnë korrupsionin, a-ja e kësaj beteje është mosdëmtimi i tregut. Pra, po hape shkollën, hoqe konkursin, nuk ka më korrupsion, por po vendose kuota, kaq këtu e kaq atje, do të ketë sadopak korrupsion. Fakti është që bëhen kurse private për të përgatitur nxënësit për konkurs, atëherë ta bëjmë konkursin menjëherë pas provimeve të maturës, në korrik. Dhe ato lekë që harxhohen për kurse, do të mjaftonin që prindërit të mbanin studentët për katër vjet rresht. Dhe të paktën, ne si fakultet çdo vit kemi shtuar kuotat, duke shkuar drejt hapjes. Këto janë sondazhe për të fituar ca lekë këtu e ca atje dhe ky është korrupsioni. Unë nuk i besoj një OJQ-je që bën studime për rritjen e inflacionit, pastaj për korrupsionin, e më pas për gripin. Këto janë vetëm përpjekje për të fituar para duke bërë sensacione. Më vjen keq që fondacione si “Soros”-i përkrahin këto organizata. Nuk them, dhe ne “Soros” na ka mbështetur, ka financuar për bërjen e bibliotekës së fakultetit, për të përkthyer literaturë dhe për zhvillimin e konferencave.

Çfarë mendoni mbi kapitullin e këtij sondazhi, ku flitet për ngacmimet seksuale të studentëve nga pedagogët?

Sa për këtë çështje, këto janë turpe. Këto sondazhe janë shumë abuzive në vetvete. Sepse pyetja në këto sondazhe shtrohet e tillë: Pedagogët i ngacmojnë studentët seksualisht, Po apo Jo. Në fakultetin tim, 80 për qind e stafit janë pedagoge, femra. Tani s’merret vesh, pedagoget ngacmojnë studentët meshkuj, apo këta studentë pedagoget. Tek e fundit, këto sondazhe janë financime nga korrupsioni, për ta ligjëruar atë dhe për ta kthyer në model shoqërie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›