E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skandali, ja kush mori kuota nga Sadami

13/05/2005  Deputeti britanik Galloway dhe ministri i Brendshëm francez, Pasqua, nën akuzë

Raporti i Senatit, që heton skandalin “Ushqim për naftë”, thotë se regjimi i Sadam Huseinit ishte i prirur të fitonte aleatë me influencë jashtë vendit. Ai akuzonte se Bagdadi i kishte dhënë z.Pasqua të drejtën për të blerë 11 milionë fuçi naftë, ndërkohë që për zotin Galloway kishte rezervuar afro 20 milionë

“Nuk kam tregtuar kurrë, as edhe një fuçi naftë”, tha z. Galloway, një ish-anëtar i parlamentit i zgjedhur si laburist, por që javën e kaluar fitoi si i pavarur, duke bërë fushatë kundër luftës në Irak. “Ky është një komitet republikan që lëpin atje ku pështyn, dhe që vepron sipas dëshirave të George Bushit”

Një komitet i senatit amerikan pretendon se deputeti i parlamentit britanik, George Galloway dhe ish- ministri francez i Brendshëm, Charles Pasqua, kanë marrë kuota nafte nga Sadam Huseini gjatë programit naftë për ushqim, para pushtimit të Irakut. Komisioni pretendon se i gjithë qëllimi i kësaj, ishte që të huajt, miqësorë ndaj regjimit, mund t'ua shisnin ato pastaj palëve të treta.

Senatorët japin hollësi të dokumenteve të autoriteteve irakene që duket se sugjerojnë t'u bëjnë atyre të besojnë se zoti Galloway ishte njëri prej atyre që morën një pjesë të këtyre fuçive nafte.

Po ashtu, komisioni pretendon se ka disa dëshmi se zoti Galloway mund të ketë përdorur shoqatën e tij bamirëse të fëmijëve për të mbuluar disa pagesa nga një prej sasive të fuçive të naftës që iu dha. Komisioni i referohet pretendimeve të bëra nga gazeta “Daily Telegraph” ndaj zotit Galloway, që përfunduan në paditjen e suksesshme të tij ndaj gazetës për mashtrim vitin e shkuar. Senatorët pretendojnë se dokumentet e tyre nuk kanë lidhje me ato të përdorura nga “Daily Telegraph”, por zoti Galloway ka lëshuar një deklaratë ku thotë se ato janë të njëjtat akuza false.

Akuza të tilla mund t’i dorëzohen shpejtë një komisioni, ndonëse raporti nuk ofron prova nëse ndonjëri prej dy të përmendurve ka marrë para.

“Gënjeshtra republikanësh”

Të dy të akuzuarit deklaruan se nuk janë aspak të përfshirë në kësi shitblerjesh. “Nuk kam tregtuar kurrë, as edhe një fuçi naftë”, tha z. Galloway, një ish-anëtar i parlamentit i zgjedhur si laburist, por që javën e kaluar fitoi si i pavarur, duke bërë fushatë kundër luftës në Irak. “Ky është një komitet republikan që lëpin atje ku pështyn, dhe që vepron sipas dëshirave të George Bushit”.

Ai tha se kishte shkruar dhe dërguar vazhdimisht e-maile me kërkesa për t’u paraqitur përpara komitetit dhe hedhur poshtë akuzat, por ata ende nuk janë përgjigjur. Z. Pasqua – një senator në Francë, që ka qenë ministër i Brendshëm, në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë – nuk ka bërë ende komente në lidhje me dokumentin. Por, kur një ish-këshilltar i tij u pyet muajin e kaluar në lidhje me skandalin, Pasqua tha se nuk kish marrë pjesë në asnjë lloj transaksioni.

Skandal

Raporti i Senatit që heton skandalin “Ushqim për naftë”, thotë se regjimi i Sadam Huseinit ishte i prirur të fitonte aleatë me influencë jashtë vendit. Ai akuzonte se Bagdadi i kishte dhënë z.Pasqua të drejtën për të blerë 11 milionë fuçi naftë, ndërkohë që për zotin Galloway kishte rezervuar afro 20 milionë. Komiteti thotë se ka prova nga dokumenta të hartuar prej Ministrisë së Naftës së Sadam Huseinit si dhe intervista me “zyrtarë të lartë të regjimit të Sadamit”. Programi “Ushqim për naftë”, ishte një skemë 60 miliardë dollarëshe e ngritur në 1996, e cila i lejonte Irakut të blinte ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera humanitare në këmbim të shitjeve të rregullta të naftës, pa thyer sanksionet e vendosura pas pushtimit që Iraku i bëri Kuvajtit në 1990. Programi synonte të lehtësonte disi vuajtjet e irakenëve për shkak të sanksioneve dhe ai përfundoi formalisht në 2003, pas pushtimit të Irakut nga forcat e drejtuara prej SHBA.

Skandali, i cili kish të bënte me mënyrën se si ishte menaxhuar programi, nxori krye në fillim të vitit 2004, pasi një gazetë irakene publikoi një listë prej afro 270 njerëzish, përfshirë zyrtarë të OKB, politikanë dhe kompani që mund të kenë përfituar nga shitja e naftës irakene.

Padi për shpifje

Më pas, hetuesit e Senatit zbuluan se regjimi i Sadam Huseinit kishte fituar 17.3 miliardë dollarë nga abuzimet. Afro 13.6 miliardë thuhet se erdhën nga shitja e naftës vendeve fqinjë, të gatshëm për të shkelur sanksionet. Programi i është nënshtruar tashmë disa hetimeve për korrupsion. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, është kritikuar në lidhje me punën e të birit në program, por ai vetë, në një raport të përkohshëm nga një komitet i OKB të nxjerrë në mars, u zhvesh nga përgjegjësia. Z.Galloway fitoi një çështje gjyqësore për shpifje ndaj gazetës londineze “Daily Telegraph” në lidhje me një artikull, që kishte të bënte me rolin e tij në programin ushqim për naftë. Raporti i Senatit bënte të ditur se dokumentet, mbi të cilët bazoheshin akuzat e tij, nuk kishin aspak të bënin me atë të artikullit në “Daily Telegraph”. Nga ana e tij, z.Galloway tha: “Janë të njëjtat akuza false që mbeten subjekt i një veprimi shpifës si ai i “Daily Telegraph”. Deri tani, unë kam 1.6 milionë stërlina më tepër”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›