E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sabri Fejzullahu në "shtëpinë" e Frenk Sinatrës

13/05/2005  Jo pa qëllim, këngëtari nga Kosova, Sabri Fejzullahu, e lidh hyrjen në muzikë me lulëzimin e grupeve të famshme muzikore si “Beatles” apo “Rolling Stones”. Duke ndjekur në një vesh zhvillimet muzikore evropiane dhe këngëtarit të ri iu ndez gjaku për të formuar një grup muzikor. Kujtimet janë kujtime dhe kur këto vijnë në momentin kur ke plotësuar ëndrrën e rinisë, për këngëtarin Fejzullahu marrin më shumë kuptimin e vazhdimësisë, se sa të nostalgjisë. Dashuria është shpirti ku rron në muzikë këngëtari kosovar, prej së cilës ka rrjedhur dhe kënga e fundit “Në ëndërr”

Kur filluat të këndonit për herw të parë, çfarë kujtimesh ruani?

Për herë të parë kam filluar të këndoj në vitin 1964. Në kohën kur filluan të këndojnë të famshmit ”Beatles” dhe “Rolling Stones”. Në vitin 1964 krijova edhe grupin e parë vokalo-instrumental, i përbërë me dy kitaristë, një baskitar një ritëm me solo, një baterist dhe një në organo.

Atëherw ishte Shpend Bajrami (inxhiner) babai i tij profesor në katedrën e Gjeografisë, më vonë në Fakultetin Filozofik. Ishte Ujko Gami, djali i aktorit të madh - të ndjerit Malo Gami, me të cilin kemi punuar së bashku më pas. Ishte dhe një djalë, Elmi Sotosi, që për momentin jeton në Londër dhe Adnan Sulejmani, që jeton në Turqi. Pra, ishte ky si të thuash fillimi, i cili mund të thuhet se përkon edhe me të parin këngëtar që formon një grup kosovar vokalo-instrumental.

Fillimet e para, ky grup, i ka në mbrëmjet e quajtura "Mbrëmje të Kaltërta". Gjithçka daton nga ‘64-ta, deri sa vijova me Radio Televizionin e Prishtinës. Aty ku incizova edhe këngën e parë të titulluar "Tash jo", në vitin 1967. Dhe, që atëherw, në fillim të vitit 1968, televizioni i Beogradit, çdo të diel jepte një program në gjuhën shqipe vetëm 15 minuta, kishte zgjedhur në këtë program për mua, një herë në javë, dy a tri herë në muaj që transmetonte ndonjë prej këngëve të mia të para.

Më pas, kur u formua Televizioni i Kosovës, Radio Televizioni i Prishtinës, ishte diçka tjetër. Prej atëherw, megjithëse nuk jam shumë i saktë, por mund të them se mbi njëqind herë në të gjitha festivalet e këngës më eminente në mbarë ish-Jugosllavinë, që nuk ekziston më, gjithmonë kam kënduar vetëm në gjuhën shqipe dhe vetëm këngë të kompozitorëve kosovarë, po të orkestruara nga ata.

Sepse, prej atëherw, muzika, këngëtarët dhe kompozitorët si: Kris Leka, Sevejdi Kajtazi, Mark Kacinari, Musa Piperku, Tomor Berisha, Reshat Dobrava e tjerë, që kompozonin, mund të them lirisht që ishin të nivelit evropian. Atëherw çdo gjë që pata incizuar në RTP, ishte "live". Kjo na ndihmonte shumë, se na tregonte se edhe ku gabonim në fillim apo në fund të këngës, aty ku ishte korda e këngës. Për këtë qëllim duhej të ishe 100% i koncentruar në tekst dhe në interpretim së bashku me instrumentistët.

Sa këngë numëron në repertorin tënd të deritanishëm, a mbani mend se cila ishte kënga juaj e parë?

Në repertorin tim mund të numëroj pa hezitim mbi më shumë se 600 këngë. Kënga e parë ka qenë "Tash jo" dhe incizimi im më i fundit është "Në wndërr", ku është përfshirë dhe kujtimi i parë me muzikën. Kënga e fundit është vazhdimësi e një takimi që kam patur dikur me shoqen e studimeve. Dhe ai takim e ajo kujtesë e asaj kohe, më ka mbetur edhe sot në ëndërr!

Kujt i ka kënduar më shumë Sabri Fejzullahu?

Tërë jetën i kam kënduar vetëm dashurisë. Këtij nocioni të madh që më ka motivuar më shumë të këndoj lirshëm e me gjithë shpirt. Ndoshta shquhem si këngëtari që ndoshta i ka kënduar më shumë këtij nocioni shpirtëror. Këtu mw duket se kam pasur më tepër shpirt dhe këngën e kam ndjerë më të gjallë.

Cilat kanë qenë kulminacionet në karrierën tuaj prej 40 vjetësh me këngën?

Ah! 19 herë kam marrë çmimin e Akordeve të Kosovës. Një spektakël i madh ky. 19 herë, pra, e kam fituar "Okarinën e Artë", shpërblim ky që jepej nga publiku.

Ku mendon se ke qenë më në formë, ke shkëlqyer më shumë?

Gjithmonë në Akordet e Kosovës dhe në modestinw e tepruar, e cila është për mua injorancë. Atë ditë që kam filluar në vitin 1967 e deri më sot, kam ngelur te "maja", mund ta them më shqip, atje më së larti, në muzikën e lehtë.

A ka pasur Sabri Fejzullahu momente të vështira gjatë karrierës së tij?

Kur u suprimua e drejta për të kënduar. Atëherw kur na mbeti vetëm të marrim frymë, edhe pse ishim gjallë. Atëherw kur çdo gjë na u mor nga regjimi serb.

Si e përjetuat luftën në Kosovë?

Oh, vitet e luftës! Trishtim i madh. Do të tregoj vetëm një episod. Kur e kam parë një herë gruan time Merën në Strugë, kur na dëbuan me forcë. Ditën e tretë të bombardimeve, pra një korrize pasqyre duke mërmëritur me vetveten, dhe nuk e di çfarë thoshte ose çfarë kërkonte të thoshte, edhe sot nuk e di se si nuk jam çmendur. Imagjinojeni se çfarë tragjedie shpirtërore!?... Pse ndodhi kjo? Sepse ajo ishte nënë, ishte një bashkëshorte, por kishte edhe ajo prindërit e saj të dy të paralizuar, që i kishte lënë në fatin e mëshirës, të ngujuar në një dhomë të një apartamenti në Prishtinë---. Atje ishin edhe dy vëllezërit e mi, e dy kunata , një motër e të 70-ve, me tetë vajza dhe dy djem - e gjith kjo çka tregoj tani më dukej në atë kohë sikur po përmbysej.

Por një shpresë e madhe lindi menjëherë dhe zëmra m’u hap. Kur pashë me sytë e mijë aeroplanin e parë, që fluturonte mbi Strugë drejt Kosovës, i nisur nga Aviano(Itali). Në ballkonin e ndërtesë ku ishim strehuar dëgjova fishkëllimën e avionëve të NATO-s, m’u duk sikur edhe unë po fluturoja së bashku me ata për të bombarduar Serbinë. Është një ndjenjë kjo e papërshkueshme ashtu si çdo shqiptar që e përjetoj atë tragjedi të pa parë ndonjëher. Është një dhmbje e madhe kur kujton ato, njërëz të vrarë e masakruar, sytë e nxjerr, fëmijë të çarë me bajoneta dhe nuk mund të tregohet nga prekja që kam.

Mirëpo si e përjetove lirië ?

Gëzimi më i madh ndoshta që kam pas ndonjëherë në jetën time, ka qënë kur u kthyem në votrat tona - të lirë dhe të lumtur për të ardhmen tonë. Është diçka e pabesueshme sot, kur bëjmë krahasimin e të dyja pyetjeve dhe merr përgjigjen tyre. Nuk e di si të them por liria e Kosovës i ka befasur të gjithë. Rreth një miljon të dëbuar e larguar me forcë nga regjimi dhe lufta u kthyen sikur të kishin lindur edhe një herë në Kosovë.

Sa qe në gjëndje kënga të ulë sado pak dhimbjen që kishte shkaktuar lufta ?

Muzika bëri të vetën, ishte një formë do të thoja që e uli paksa dhimbjen e madhe. Ajo komunikoi ashtu siç komunikon gjithmonë me zëmrën e popullit artëdashës. Dhe besoj që me të vërtet është bërë një punë e madhe në këtë drejtim. Sepse edhe kënga është motivi që i nxit njërëzit për diçka. Kënga është motiv, edhe për të dashuruar , edhe për të luftuar si në atë kohë për të dalë në luftë.

Unë mendoj sidomos tek ne shqiptarët, emocioni dhe motivi janë më të theksuara se kudo në çdo vend të botës.

At'here le t'i kthehemi sërish muzikës në liri. Ka një super prodhim të këngëve dhe muzikave sot. A mendoni se kjo është në përputhje me ritmin e jetës apo është "sforcim" ose përvjedhje ?

Ju e dini që janë shtatë nota- do, re, mi, fa, sol, la, si,do, dhe të shtata thuhet se mund të huazohen. Ose i ngelet kompozitorit pa dashje në mëndje - si pa dashje një kujtesë - melodi e dikujt tjetër për t'a riprodhuar. Unë këtë e arsyetoj të ndarë në atë që disa: kopjojnë këngët sërbe, duke bërë vetëm shqipërimin e tekstit. Kjo lloj mënyre e të vepruarit nuk mund të konceptohet e arsyetohet kurrë.

Dhe për mendimin tim, përsëri këtë lloj loje muzikore e bëjnë atë të vet-quajtur gazetarë. Dhe ata që nxjerrin e përmovojnë albume muzikore, vetëm se paguajnë nja 150 mijë euro. Në këtë aspekt do të tërhiqja vërejtjen, se çdo muzikant duhet të jap gjithçka, ose të investojë më shumë për vlerat tona muzikore. Personalisht kam dhënë deri në 2,500 euro për një këngë dhe 25,000 euro për një album origjinal. Dhe jam shumë i kënaqur pasi kam arritur të nxjerr albume të mira të cilat bëhen nga kompozitorë sinqerisht të mirë, orkestrues që nuk vjedhin e përvjedhin ose huazojnë.

Mirëpo, përsa i përket muzikës popullore nuk mund të jap vlersim kompentent sepse nuk kam shumë predisponim për këtë zhanërr. Megjithëse e kam në shpirt atë pasi jam rritur me këtë muzikë, edhe pse kam 40 vite si këngëtar i muzikës së lehtë.

Zoti Fejzullahu, ku mendoni se keni dhënë më shumë në muzikë apo në artin skenik, pasi kujtojmë këtu disa interpretime të tuajat në skenë?

Në karrierën time kam qenë këngëtar dhe artist - dhe kritika më ka vlerësuar. Kolegët e mi, regjisorët e specialistët e artit, më thonë sot e kësaj dite se mund të isha vërtetë një artist i madh. Gjë që unë se kam besuar, pasi e kam parë vetveten gjithnjë tek kënga, muzika.

Më cilët këngëtar bashkëpunoni sot?

Bashkëpunoj shumë me Xhevdet Gashin, Ilir Beranin, Edmond Zhulalin dhe me Adem Radobravën. Por, ka edhe disa kompozitor të rinj në Prishtinë, të cilët të gjithë së bashku, dhe ato që thashë më lart, më kanë ndihmuar me punën e tyre në përgatitjen e albumit tim të ri që do ta promovoj në shtator të këtij viti. Ndërsa, më duhet të veçojë tani lidhur drejpërsëdrejti me pyetjen tuaj mikun tim të madh këgëtarin e mirënjohur Sinan Vasalliu. Edhe megjithëse është më i ri, se sa unë është rritur me mua dhe muzikën.

A keni ndonjë gjë për të thënë për muzikën popullore në Shqipëri, e cila ka qënë mjaft e dashur dhe jashtëzakonishtë e kërkuar nga publiku ?

Sikur e ka humbur atë vlerën që ka pasur, sikur nuk e ka më atë dashuri që ka pasur edhe më parë. Unë e kuptoj që njeriu duhet të jetë me kohën sepse edhe muzika ecën me kohën ,por muzika shqiptare popullore ka humbur diçka që nuk mund t'a kuptoj .

Kë këngëtare ose këngëtar ne botën shqiptare të muzikës ke pasur si idhull ?

Ka shumë, ka shumë . Nga këgëtarët e të gjithë kohërave më ka mbetur në mendje Ismet Koshutovën. Një këngëtar që ka kënduar para meje.Më pas kam preferuar shumë Hafza Zyberin , Fitnete Rexhën, Bik Nojën dhe Vaçe Zela e cila ka qënë mbretëresha për mua e muzikës së lehtë. Ndërsa këngëtarët që kanë influencuar shumë tek janë janë Xhani Morandi, Xhani Naxaro, Adriano Çelentano dhe muzika italiane më së shumti, që për 15 vjet e kam kënduar në bregdet më së shumti në Zare të Kroacisë, me grupin vokalo-instrumental "Tempo"

Sot aktualisht admiroj Sonin dhe Rovena Dilon. Rovenën e admiroj edhe si intelektuale e këngëtare me një zë të veçantë.

Ku ndjeheni se ju presin më mirë në Kosovë apo në diasporë?

Gjithandej ku këndoj si në Kosovë edhe jashtë saj jam pritur shumë mirë.

Së fundi na thoni çfarë do të bëni në të ardhmen, dhe kujt do t'ja "transmetoni" këngën tuaj ?

Do t'i lutesha Zotit së pari të më jap shëndet, sepse edhe vitet e bëjnë të vetën.

Po në “shtëpinë” e Frank Sinatrës si po ndiheni ?

E dua shumë Nju Jorkun dhe do të jemi miku i juaj edhe atëhere kur të mos më "ftoni".

Në Nju Jorkun e Frank Sinatrës dhe të sa e sa yjeve të botës së artit dhe muzikës, jam i ftuari i zotërisë së nderuar Dervish Jahjaga, president i axhensisë "Bota Promotion", në manifestimin "Miss Shqiptarja në Amerikë" . Unë për vete me këto spektakle dhe këto vizia ruaj kujtimet më të bukura në jetën time. Sepse m’u dha rasti të takoj sa më shumë shqiptarë. Shumë njërëz të mirë e të suksesëshëm në jetën e tyre. Më një fjalë këtu në SHBA jam gjendur në një rreth miqësor shumë të ri dhe shumë dashamirë. Kam gjetur një ambjent të cilin me zor e kam pritur të vijë edhe një herë tjetër.

Dhe kështu që nuk e di se çfarë më lidh me ju këtu, por deshi fati që unë përsëri të isha mes jush edhe si moderator dhe si këngëtar. Kjo ishte shumë më spektakolare se sa herët e tjera.

Sepse si spektakli "Miss Shqiptarja në Amerikë 2005" dhe koncerti pas saj kanë qënë diçka shumë impozante saqë më ka befasur shumë. Një publik i dashur dhe me një imazh të shkëlqyer tregoi një kulturë të lartë që nuk harrohet lehtë. Nuk mund të harroj konkurimin e vajzave të përkryera. Filizat e bukurisë shqiptare në Amerikë. Këtu më duhet t' bëjë edhe një vlersim të veçantë organizatorit, i cili në kushtet tepër të vështira në Amerikë, organizon falë vullnetit e pasionit të tij të mirë një veprimtari si "Miss Shqiptarja në Amerikë".

Dhe kjo nuk është fitim pasurie apo diçka tjetër, pasi e di fare se sa shpenzohen për të arritur këtë ku çdo gjë është me para. E pra për gjëra të tilla duhet të ndihmojmë e të investojmë më shumë. Dhe unë shpresoj që njërëzit këtu me mundësitë që kanë do t'a bëjnë një gjë të tillë. Sepse në trojet tona e kanë bërë gjithnjë, duke mbajtur kulturën dhe traditën shqiptare kudo ku janë vendosur shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›