Qeveria zhbllokon lejet për biznesin
Pas shqetësimit të ngritur nga Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve lidhur me mungesën e lejeve për transport mallrash drejt Italisë, ka reaguar qeveria, duke marrë vendim për zhbllokimin e situatës. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, janë bërë disa ndryshime në vendimin "Për lejet e transportit të mallrave për transportuesit, që nuk kanë selinë në Shqipëri". Vendimi i mësipërm i qeverisë shqiptare pritet t‘i japë fund kalvarit disavjeçarë të bllokimit në çdo fund viti të transportit ndërkombëtar të mallrave, veçanërisht drejt shtetit fqinj Itali, bllokim i cili penalizonte dhjetëra e qindra subjekte shqiptare, anëtare të Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve, të cilat punojnë me material porositësi dhe eksportojnë prodhimet e tyre drejt tregut italian. "Bllokimi i lejeve të transportit ndërkombëtar drejt Italisë ishte një handikap që vinte jo thjesht për efekt të marrëveshjes dypalëshe mes Ministrisë së Transporteve të Italisë dhe asaj të Shqipërisë, por edhe të mosrespektimit të ligjit nga organet shqiptare të kontrollit doganor. Doganat dhe policia kufitare shqiptare nuk kanë bërë asnjëherë në mënyrë të përgjegjshme dhe ligjore evidentimin e saktë të numrit të kamionëve italianë që hyjnë dhe dalin në Shqipëri", shprehen drejtues të Dhomës.