Zgjerohet Dhoma e Tregtisë, tani degë edhe në Torino
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka hapur degën e saj në Torino, duke marrë shkas nga prezenca e subjekteve private me partnerë shqiptarë që jetojnë në Itali. Iniciativa u mor nga një grup prej 40 biznesmenësh, të cilët ishin me Presidentin Topi gjatë vizitës këto ditë në Itali. Gjatë qëndrimit në ditën e tretë të takimeve, delegacioni ka mbërritur në Torino, ku ka pasur edhe pjesën më të ngjeshur të aktiviteteve. Takime me biznesmenë të Piemontes, takime në bashkinë e qytetit dhe në prefekturë, një vizitë në Universitetin e Torinos, një qendër e rëndësishme arsimore e Italisë me 35 mijë studentë dhe ku studiojnë më shumë se 1 mijë studentë shqiptarë. "Ne synojmë që kjo zyrë të jetë një pikë e rëndësishme e kontakteve dhe e shkëmbimit të informacionit mes bizneseve të të dyja vendeve. Ajo ka ardhur si një zhvillim i natyrshëm i marrëdhënieve të biznesit, investimeve dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë e Italisë, e cila renditet e para në këtë drejtim", tha kryetari i Dhomës së Tiranës, Gjokë Uldedaj, në ceremoninë e hapjes së përfaqësisë së DHTI Torino.