Specializantët e mjekësisë, 7 muaj pa rroga
Ministria e Shëndetësisë: Nuk kanë lidhur kontratat me ISKSH.
ISKSH: Fondi duhet të çelet nga Ministria
Specializantët e mjekësisë kanë protestuar para ambienteve të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi prej 7 muajsh nuk kanë marrë asnjë pagesë. Mes të tjerash, mjekët e rinj thonë se po punojnë pa kontratë dhe po vazhdojnë punën pa ndërpreje, nëpër rrethet ku ata janë caktuar. “Ne jemi specializantë të mjekësisë. Kemi 7 muaj që kemi filluar specializimin. Na takonte kuota me rrethet në varësi të rezultateve të provimit. Ka 7 muaj që këto kontrata nuk janë lidhur dhe ministri refuzon të na presë. Duke qenë se kontrata nuk është bërë, pagesë nuk ka pasur. Puna ka vazhduar normalisht 8 orarësh në qendrën spitalore universitare”, - thotë një specializante e mjekësisë, Aida Zaka. Rreth 134 mjekë, që fituan specializimin e mjekësisë kanë 7 muaj që punojnë pranë spitaleve, por deri tani nuk janë paguar. Kjo kategori ka fituar me kushtin që pas përfundimit të punojnë në rrethet ku banojnë. Rreth 350 të tjerë fituan me kuota të lira, me pagesë. Sipas ligjit, specializantët e zgjedhur duhet të marrin 80% të pagës së një mjeku në atë pozicion. Lidhur më këtë problem, burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se specializantët nuk kanë lidhur kontratat me ISKSH, dhe ndaj nuk kanë marrë pagesën, e cila nuk varet nga ne. Ndërkohë, burime nga ISKSH shprehen se fondi duhet të çelet nga Ministria, e cila është dhe palë në nënshkrimin e kontratës. Një muaj pas nënshkrimit të kontratës, më 3 prill të këtij viti me vendim të Këshillit të Ministrave, për këtë kategori u rrit tarifa e studimit nga 60 mijë lekë në 100 mijë lekë në vit. Studentët nuk e kanë paguar shtesën e tarifës, duke rrezikuar të hyjnë në provim. Sipas vendimit të qeverisë, tarifa vjetore e studimit do të jetë 40 mijë lekë për kandidatët që përfitojnë nga kuotat e pambuluara, dhe 100 mijë lekë, për kandidatët e nga kuotave të planifikuara. Kuota e pranimit në programet e ciklit të tretë të studimeve specializuese afatgjata, në Fakultetin e Mjekësisë është 446 e ndarë sipas specialiteteve të ndryshme. Bazuar në kuotën totale, 289 specializantë që përfitojnë nga kuotat e pambuluara dhe që janë student që kanë përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, do të paguajnë tarifë më të ulët, pra 40 mijë lekë. Ndërsa 157 specializantët e tjerë, që e kanë fituar të drejtën e specializimit sipas kuotave të planifikuara për tre dikastere si dhe ata nga trojet, do të shlyejnë taksën prej 100 mijë lekësh.
Poliomeliti
Vasili: Qytetarët të kenë kujdes
Qytetarët duhet të kenë kujdes, pasi vendi ynë mund të riskohet nga poliomeliti, i cili ka gjetur përhapje të madhe ditët e fundit në Kinë. Ky apel është bërë dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, sipas të cilit, meqë shumë shqiptarë dhe kinezë qarkullojnë në vendet respektive, OBSH ka porositur shëndetësinë shqiptare të marrë masa për parandalimin e këtij virusi, që lë pasoja të mëdha invaliditeti. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili thotë se edhe pse Shqipëria ka një mbulesë të lartë vaksinale ndaj poliomelitit, bluzat e bardha duhet të qëndrojnë në gadishmëri për çdo të papritur. “Shqipëria, sot ka një mbulesë maksimale për poliomelitin, mbi 98 %. Është një vend pa polio që prej 2003-it. Gjithsesi, në këtë rast niveli i alertit do të jetë i shtuar dhe njëkohësisht, OBSH rekomandon të mos ketë masa drastike në drejtim të lëvizjes së njerëzve dhe ndoshta edhe të mallrave. Pra, nuk jemi në atë nivel që duhet të kufizojmë lëvizjet, por duhet që survejanca të jetë e rritur”, - tha ministri Vasili. Këto deklarata, kreu i Shëndetësisë i bëri pas prezantimit të një lajmi shumë pozitiv të marrë nga OBSH, e cila ka akredituar Laboratorin Qendror të Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Tashmë, ekzaminimet e kryera pranë Laboratorit Qendror Virologjik në Institutin e Shëndetit Publik janë të certifikuara dhe të njohura ndërkombëtarisht. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, ky akreditim vjen pas investimeve të bëra, qoftë në teknologji bashkëkohore, ashtu dhe në kapacitete profesionale të specialistëve që punojnë në të.