Thatësira dhe abuzimi, Tirana ngelet pa ujë
Mungesa e ujit që nuk është as i pijshëm në çezmat e shtëpive e ka kaluar kufirin e shqetësimit për banorët e mjaft zonave në kryeqytet. Tashmë, mungesa e ujit në shtëpi është shndërruar në makth për ta, ndërkohë që fajin për këtë situatë, autoritetet e Ujësjellësit ia kanë faturuar mosrënies së reshjeve dhe shpërdorimit nga ana e qytetarëve. Në fakt, për këtë të fundit, përgjegjësia bie direkt mbi Ujësjellësin, i cili nuk ka mundur t’i vere “fre” abuzimeve që bëhen me ujin, sidosmos në hapësira publike, siç janë lavazhet e makinave. Këto të fundit, që funksionojnë si biznese private janë ngritur buzë rruge, pikërisht aty ku kalon tubacioni i ujit të pijshëm. Sipas të ardhurave të gjithësecilit, dikush gjen një lavazh në periferi, një tjetër e pastron vetëm nga jashtë dhe dikush tjetër e lanë vet makinën. Ndërkohë që sipas ligjit, lavazhet duhet të punojnë me ujë pusi dhe për këtë arsye kur marin leje për hapje aktiviteti, atyre u kërkohet edhe projekti për hapjen e pusit dhe analizat e ujit të tij. Ndaj, mungesa e ujit të pijshëm nuk shkaktohet vetëm nga ajo e reshjeve, por edhe nga shpërdorimi pa kriter nga njerëzit. Kjo ka bërë që në çezmat e shtëpive të mos ketë ujë, ndërkohë që në rrugë uji derdhet lumë. Përpos lavazheve, edhe drejtuesit e lokaleve apo dyqaneve buzë rrugës lajnë herë pas herë trotuaret e pluhrosur, të tjerë lajnë makinat çdo ditë, dhe gjithë kjo sasi e madhe e uji e shfrytëzuar pa kriter, mund të shkonte sadopak në banesat ku ska ujë, nëse do të administrohej si duhej.
Zonat
Prej disa ditësh banorët e disa zonave në kryeqytet, sidomos në ato ku ndërtimet janë të reja, si: Unaza e Re, Tirana e Re, Komuna e Parisit, Kodra e Diellit, Sauku i Ri, po përballen me mungesën pothuajse të përdishtme të ujit. Lidhur me situatën aktuale të furnizimit me ujë të disa zonave të banuara të kryeqytetit, vetë kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve, Sahit Dollapi, është shprehur se: “Prej disa ditësh janë pakësuar prurjet nga burimet e Selitës, Shën Mërisë dhe puseve që ne shfrytëzojmë për furnizimin me ujë të një pjese të Tiranës. Kjo do të thotë se është pakësuar edhe sasia e ujit që shkon në rrjet dhe më pas në rubinetat e qytetarëve. Dua të garantoj qytetarët se Ujësjellësi i Tiranës nuk ka asnjë defekt që shkakton probleme në furnizimin me ujë”. Sipas tij, ka dy arsye madhore që ndikojnë në këtë situatë, që janë thatësira dhe shpërdorimi i ujit të pijshëm. Për arsyen e parë, thatësirën, kreu i Ujësjellësit të Tiranës është shprehur se të dhënat tregojnë se kjo është periudha më e gjate pa reshje në 50 vitet e fundit, gjë që ka ndikuar tek pakësimi i burimeve të Selitës dhe Shën Mërisë, të cilat bashkë me Bovillën janë burimet kryesore që prodhojnë ujë për Tiranën. Arsyeja e dytë, që redukton sasinë e ujit dhe që është po aq problematike sa thatësira, sipas Ujësjellësit, është shpërdorimi i ujit të pijshëm. “Me keqardhje, UKT vazhdon të konstatojë lidhje të paligjshme në rrjet, por edhe qytetarë, që me ujë të pijshëm lagin trotuaret, oborret, madje uji i pijshëm përdoret edhe për vaditje”, - ka pohuar Dollapi, ndërsa janë të pakta ndërhyrjet që janë bërë në këtë drejtim për përmirësimin e situatës. Tashmë banorëve që po vuajnë nga mungesa e ujit nuk u mbetet gjë tjetër veçse t’i luten Zotit që të bjerë shi, në mënyrë që të shtohet niveli i ujit në Selitë, Shën Mëri, e Bovillë, pasi vetëm në këtë mënyrë atyre mund t’u dalë ujë në çezmat e shtëpive.
Zonat problematike
Unaza e re
Tirana e re
Komuna e Parisit
Kodra e Diellit
Sauku i Ri