E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kule, vendit i mungon një politikë e saktë ekonomike

18/02/2005  Dekani i Ekonomikut, leksion ekonomie me biznesin e Elbasanit

ELBASAN- Dekani i Fakultetit Ekonomik në Tiranë, Dhori Kule, ka qenë i përzgjedhuri i një prej bankave shqiptare për të komunikuar në gjuhën e ekonomisë me biznesin dhe komunitetin e gjerë. Në një takim të zhvilluar në Elbasan, Kule do të sillte mjaft faktorë ndikues në ekonominë e vendit dhe rrugët për të arritur stabilitet në treguesit makro-ekonomikë. Një rritje e lehtë e nivelit ekonomik dhe stabiliteti makro-ekonomik, shoqërohen nga një nivel papunësie i lartë dhe, gjithashtu, një varfëri deri në ekstrem, pa marrë një mesatare. Eksporti përfaqësohet nga fuqia punëtore, e cila siguron një kapital prej 700 milionë dollarë në vit, që, sipas ekonomistit, nuk është pak, por që rikthehet sërish jashtë kufinjve me anë të importit të produkteve, duke u renditur import–eksport në raportet 5 me 1. sipas dekanit të Fakultetit Ekonomik, kapitali bankar përkthehet në 3.2 miliardë dollarë, pa llogaritur ekonominë informale, por nga ky kapital vetëm 15% përdoret në kreditim dhe pjesa e tjetër i shërben ekonomisë së shteteve të tjera. Nëse nuk ndiqen politika të caktuara ekonomike, atëherë partnerët perëndimorë ku hyjnë bankat, nuk do ushqehen më nga një biznes lindor dhe politikë ekonomike lindore, por do të largohen, duke zgjedhur edhe gjuhën e përbashkët me ekonominë e shteteve të tjera. Ndaj dështimit duhet të jemi të përgjegjshëm përballë zgjedhjeve, ku edhe përcaktohen politikat ekonomike. “Duhet të zgjedhim rrobaqepës të mirë për kostumin juridik”, është shprehur Kule, duke kërkuar vëmendjen e biznesit dhe të komunitetit përballë një rruge të ekonomisë shqiptare të dobët, por që mund të shëndoshet me anë të politikave të caktuara ekonomike, të përshtatshme për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›