E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano ka lën peng tenderin për kazinonë në Greqi

18/02/2005  Berisha në "Opinion"

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ka pranuar të përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjes për një koalicion të mundshëm me LSI-në. Në pyetjen e bërë nga Blendi Fevziu, në emisionin "Opinion", për një koalicion të mundshëm me LSI-në, Berisha tha se ne "nuk krijojmë koalicion që na pengon të luftojë korrupsionin dhe daljen nga situata".

Nano

Berisha, në intervistën e dhënë, ka theksuar dhe një herë se Kryeministri Fatos Nano është duke lënë peng ndërmarrjet me kapital shtetëror në kazinotë e Greqisë. Për këtë, Berisha ka theksuar se ka informacione zyrtare, por jo publike se Nano, tre herë në muaj, lë shifra të mëdha në kazinotë greke. Madje, sipas Berishës, nga pamundësia e Nanos për të paguar në bixhoz, është vendosur dhe firma që do të fitojë të drejtën e kazinosë së parë që do të hapet në Shqipëri. Kreu i PD-së nuk ka pranuar që të deklarojë se për cilën firmë bëhet fjalë, por ai është shprehur se këtë fakt tashmë e ka bërë të ditur dhe një gazetë greke. Nga ana tjetër, Berisha ka hedhur poshtë një marrëveshje të mundshme me kryesocialistin, ku PD do të fitonte zgjedhjet në shkëmbim të dhënies së postit të Presidentit Fatos Nanos. Këtë mundësi, Berisha e ka cilësuar si një ëndërr, që e shikon me sy hapur kryetari i mazhorancës.

Edi Rama

Berisha nuk ka ngurruar që të ironizojë gjatë intervistës as iniciativën më të fundit të kryetarit të Bashkisë, Edi Rama. Në lidhje me pyetjen se kë cilësonte më të fortë Berisha në fushatë Edi Ramën apo Fatos Nano, Berisha është shprehur se Rama ka fortësinë e shtogut... "Si ta merr mendaj se krijon vështirësi për mua ajo që krijon për Nanon. Rama ka të tjerët mbrapa dhe Rama përfaqëson një grup, i cili punon duke parë të diskretituar Fatos Nanon, që është bërë i famshëm për biznes dhe kërkojnë ta largojnë para zgjedhjeve. Ne e provuam. Po t'i kthehemi fushatës, atë e fitoi Ngjela dhe votat i vodhi Rama", tha Berisha. Kreu i demokratëve është shprehur se PD ka strategji të qarta për zhvillimin e vendit, si dhe për hedhjen e hapave të duhur të integrimit në Bashkimin Evropian.

Piramidat

Kryetari i PD-së theksoi dje se gabimi i tij gjatë drejtimit të shtetit kanë qenë piramidat. Megjithatë, Berisha theksoi se prej tyre nuk ka përfituar ekonomikisht, as ai dhe as të afërmit e tij. Kryetari i demokratëve theksoi se për këtë çështje persona të ndryshëm janë përpjekur të akuzonin kunatin e tij, Agim Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›