E Hënë, 2 Nëntor 2026

Punonjësit e Darfos, këmbëkryq para zyrës së Dodës

18/02/2005  Protestat e Ferrokromit nga Burreli zbresin në Tiranë

Rreth 150 punonjësit e „Darfo“-s, të mbetur pa punë nga mbyllja e uzinës, kanë protestuar përpara Ministrisë së Energjetikës dhe kanë bërë me faj Qeverinë për falimentimin e uzinës së ferrokromit. Protestuesit kishin lajmëruar një javë më parë se do të përshkallëzonin protestën e tyre deri në një grevë të përgjithshme të sindikatës së industrisë. Koncensioni i „Darfo“-s është cilësuar i pasuksesshëm dhe ndërmarrja ka bërë publike herëpasherë probleme nga më të ndryshmet. Por shkak këtë radhë është bërë rritja e çmimit të energjisë elektrike nga KESH-i dhe mosfunksionimi i licensës për importin e energjisë, që mund të shpëtonte ndërmarrjen nga kosto e lartë e faturës së energjisë. Punëtorët e uzinës e kanë quajtur mbylljen e fabrikës papërgjegjshmëri, si nga ana e firmës, ashtu dhe nga ana e Qeverisë dhe kërkuan një zgjidhje të menjëhershme, në mënyrë që të kthehen në vendet e tyre të punës. Punëtorët e uzinës kanë paralajmëruar se, në rast se problemi i tyre nuk do të gjejë zgjidhje, ata do të përshkallëzojnë protestën, duke u futur në grevë urie në ambientet e uzinës së Burrelit. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur “Darfo” sapo ka marrë një licensë për import energjie nga ERE-ja, por duket se kjo nuk i ka hyrë fare në punë. Operatori i transmetimit nuk i ka mundësuar importin e energjisë nga jashtë, duke e lënë “Darfo”-n sërish klient të KESH-it dhe të tarifave që KESH-i ka për biznesin privat. Sindikalistët e “Darfo”-s i kanë adresuar akuzat drejt Qeverisë, e cila vetëm zyrtarisht ka filluar liberalizimin e tregut të energjisë, por, de fakto nuk ka krijuar asnjë mundësi. “Anarshia ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë, duket se po i jep frytet negative”, ka bërë të ditur kreu i Sindikatës, Kol Nikollaj. Akuzat e “Darfo”-s për mosfunksionimin e sistemit të transmetimit, i janë adresuar jo vetëm operatorit të transmetimit, që, aktualisht është i ndarë nga KESH-i, por dhe vetë kompanisë elektroenergjetike. Sipas punonjësve, fajtor për këtë gjendje është mospërgatitja e infrastrukturës dhe e kapaciteteve thithëse e transmetuese të energjisë, që e bën të pavlefshme licensën e lëshuar nga ERE-ja. Ndërkaq, duket se Qeveria, jo vetëm nuk i ka krijuar lehtësirat e nevojshme ndërmarrjeve të dhëna me koncension për të vazhduar aktivitetin, por dhe nuk u kthen paratë që u ka borxh. “Qeveria nuk i lëvron kompanisë 4 milionë euro nga TVSH-ja dhe, kjo bën që të mos kërkojë llogari për investimet që duhet të bënte ajo në ndërmarrjen e marrë me koncension”, kanë bërë të njohur punonjësit e “Darfo”-s.

150 punëtorë

pa punë

4 milion euro

TVSH e pa kthyer

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›