E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raporti që anuloi kontratën

11/12/2004  Prej shtatë vitesh, “Korsel” fiton tendera e lidh kontrata të paligjshme me Bashkinë e Korçës

Raporti që anuloi kontratën

7-vjeçare të pastrimit

Firma “Korsel” dhe ajo “Kondor” Sh.p.k kanë mbi shtatë vite që pastrojnë qytetin e Korçës. Por, kryetari i Bashkisë së Korçës, Robert Damo, i zgjidhur para një viti pas një raporti mbi pastrimin e qytetit dhe procedurave ligjore gjatë viteve të mëparshme, ka urdhëruar ndërprerjen e kontratës. Por është pikërisht firma e Damos që urdhëron bërjen e këtij tenderi disa ditë më pas, duke ia dhënë këtë tender përsëri firmës “Korsel”.

Për pastrimin e qytetit të Korçës u dhanë 43.300.000 lekë, tenderin e fitoi firma “Korsel” Sh.p.k. dhe u skualifikuan dy firma, të cilat konkurronin bashkarisht “Alb-Agron” dhe “Atlas” SHPK. Përveç shkeljeve ligjore të njëpasnjëshme gjatë procedurave të tenderit, ndërsa vetë Damo ka ndërprerë kontratën me firmën fituese, e bën përsëri fituese.

Raporti

Damo ka analizuar punën e dy firmave fituese të tenderit që nga viti 1997. Dosja e zhvillimit të këtij prokurimi është e mangët. Kjo procedurë ka nisur që në vitin 1996, data e saktë nuk mund të përcaktohet, pasi ka disa urdhëra prokurimi me data të ndryshme, të cilët dublojnë njëri-tjetrin dhe ka përfunduar në vitin 1997, duke lidhur kontratën e sipërmarrjes me subjektin fitues, shoqërinë tregtare “Korsel-Kondor” Sh.p.k, më datën 17 mars të viti 1997, me një afat 5-vjeçar. Zgjatja e procedurës së prokurimit me një afat 1-vjeçar bie në kundërshtim me ligjin e prokurimeve, neni 35. Kjo kontratë, më pas ka marrë dhe miratimin e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Më pas rezulton se nga Bashkia e Korçës është kërkuar në rrugë gjyqësore anulimi i kontratës për moszbatim të detyrimeve kontraktore.

Zgjidhja dhe rilidhja e kontratës

Gjykata e Apelit Korçë ka vendosur me vendim nr.60 të datës 17.03.1999 zgjidhjen e kontratës. Për të pastruar Korçën gjatë këtyre tetë muajve, Bashkia duhet të kishte vendosur sipërmarrësin e ri, me anë të një tenderi të ri.

Më datë 19 nëntor të vitit 1999, midis palëve, Bashkisë së Korçës dhe firmës “Korsel-Kondor”, është lidhur përsëri kontrata. Nga pikëpamja ligjore mungon rregullimi ligjor i pasojave që lindin nga zgjidhja e parakokshme e kontratës së sipërmarrjes. Në dosje nuk ekziston asnjë dokumetancion, nga i cili të rezultojë se cila ka qenë procedura e ndjekur, e cila ka çuar në lidhjen e kontratës së re.

Dy firmat ndahen

Në dosje gjendet vetëm vendimi i datës 11 nëntor të vitit 1999, ku dy firmat këtë herë të ndara nga njëra–tjetra, si dy subjekte juridike të ndryshme “Korsel” Sh.p.k dhe “Kondor” Sh.p.k për lidhjen e kontratës.

Tenderi i vitit 2001

Sipas raportit, në vitin 2001 është zhvilluar një prokurim tjetër “Shtesë e zonës së pastrimit”. Ky prokurim është finalizuar me lidhjen e një kontrate sipërmarrjeje me subjektin fitues, shoqërinë tregtare “Korsel” Sh.p.k. Ky procedim, zyrtarisht, nuk ka asnjë lidhje me kontratat e vitit ’97 dhe ‘99. Afati i kësaj kontrate është përcaktuar në kundërshtim me ligjin, duke u dhënë në mënyrë evazive 3 deri 5 vjet. Kjo, pasi nuk dihet se si duhet llogaritur fondi, por zgjidhja e dhënë është përcaktuar për një periudhë disa mujore, deri më 31 maj 2002.

Rezulton se data e përfundimit të kësaj kontrate sipërmarrjeje e specifikuar si 31.05.2002, përkon me afatin e përfundimit të kontratës së sipërmarrjes 1997. Indirekt është zgjidhur problemi i ekzistencës së dy kontratave me firmën. Kryetari i Bashkisë i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimeve që të gjejë një rrugëzgjidhje se me cilën kontratë do të punohej, me atë të vitit ’97 apo ’99. Përgjigjja ka konsistuar në faktin se, meqë kontrata e vitit ‘97 është anuluar me vendim gjykate, atëherë do të punohej me kontratën e sipërmarrjes së vitit 1999. Më pas, nga ana e kryetarit të Bashkisë së Korçës, është kërkuar përsëri interpretim ligjor, nëse kontrata e vitit 2001 do t’i shtrinte efektet deri në përfundim të sipërmarrjes së vitit 1999.

Amendamenti

Duke u bazuar në orientimet e APP-së është proceduar me nënshkrimin e një amendamenti nga ana e palëve. Kjo kontratë merrte vlerë deri në fund të vitit 2004, që është afati përfundimtar i kontratës së vitit 1999. Në këtë mënyrë u akordua dhe fondi i nevojshëm. Kështu u tejkaluan plotësisht kompetencat e akorduara nga ligji dhe, nga ana e titullarit të Entit Prokurues, që është kryetari i Bashkisë së Korçës. Gjithë kjo procedurë, si në konceptim, ashtu dhe në zbatim, nuk ka kaluar në rrugë organizative nëpërmjet strukturave të Bashkisë, por është ndjekur drejtpërdrejt nga ana e kryetarit të Entit Prokurues, që është dhe kryetari i Bashkisë dhe nga Shoqëria tregtare “Korsel”, Sh.p.k. Denisa Xhoga

Dy firmat simotra ndahen

e përfundojnë në gjyq

Në kontratën e lidhur në nëntor të vitit 1999, firma fituese është ndarë në dy pjesë ”Korsial” dhe ”Kondor”. Ndërsa në shtesën e sipërfaqes së pastrimit dhe të fondit të vitit 2001 është lidhur kontrata vetëm me firmën ”Korsel”, e cila e fitoi tenderin edhe para një muaji. Në këtë moment, forma e përjashtuar nga kontrata, ”Kondor” ka ngritur padi ndaj simotrës “Korsial sh.p.k”. Tashmë, format janë në proces gjykimi pranë Gjykatës së Apelit Korçë. Firmës ”Korsiel” i kërkohet nga ana e firmës “Kondor” fitimi i munguar, pikërisht për fushën e shërbimit, pastrimin e qytetit, që është objekt i këtij tenderi. Sipas dokumentacioneve, ata janë në gjyq për përplasjet e tyre nga tenderimi i mëparshëm. Në këtë rast, çdo vërtetim i paraqitur nga ana e firmës “Korsel”, i paraqitur në tenderin e këtij viti, se nuk ndodhet në proces gjyqësor, është i rremë ose i falsifikuar. Në këtë rast, Agjencisë së Prokurimeve Publike i kërkohet të marrë masa, të kërkojë ekzistencën e këtij procesi gjyqësor pranë Gjykatës së Apelit Korçë. Ky proces vazhdon edhe në këto momente. Kjo përbën mungesën e një kushti kryesor për kualifikimin në tender me pasojat e njohura, të përcaktuara me ligj në rast deklarimi dhe përdorimit të dokumentacionit të rremë dhe të falsifikuar.

Përse u detyrua Damo

t’ia jepte “Korsel”-it tenderin

“Ndoshta Enti Prokurues, i kryesuar nga kryebashkiaku Damo, ka llogaritur se sa është dëmi që do të kërkonte fituesi i tenderit në rast të ndërprerjes së kësaj kontrate, me vërtetim në rrugë gjyqësore. Si duket, ‘specialistët’ i kanë marrë masat edhe në këtë rast, që fituesi i paragjykuar që në fillim, për asnjë rast të mos dalë i humbur. Të humbur në këtë mes janë taksapaguesit e Korçës dhe vetë shteti, që do të detyrohet të paguaj vlera kolosale për punë të pakryera të sipërmarrësit”, thotë për gazetën “Metropol” drejtori i “ALB Agron”, Agron Hasankolli dhe Vasfi Haruni, i “ATLAS” Sh.p.k.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›