E Diel, 1 Nëntor 2026

Rugova mungon në Samitin e rajonit

11/12/2004  Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka munguar në samitin dyditor të vendeve të Evropës Juglindore, zhvilluar në Tiranë. Në lidhje me këtë fakt, organizatorët kryesorë të samitit janë shprehur dje se, Kosova përfaqësohet aktualisht nga drejtuesit e UMNIK-ut, që njihen nga OKB-ja si administratorë të saj. Në këtë mënyrë, është aluduar se pa zgjidhjen e problemit të statusit nuk mund të thirret, Presidenti i Kosovës në takimet zyrtare të krerëve të shteteve. Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu dhe drejtori i UNSECO, Koichiro Matsuura, duke sqaruar mungesën e Rugovës, kanë bërë të ditur qëndrimin për çështjen e përcaktimit të statusit të Kosovës. Sipas Moisiut, "statusi i Kosovës është një problem, i cili nuk duhet të zgjatet në kohë, pasi do të krijohen hapësira për ekstremistët, nga të dy palët duke sjellë kështu konflikte të reja. Kosova nuk duhet të ngelet njolla e zezë në rajonin e Ballkanit dhe kjo çështje duhet zgjidhur sa më parë". Statusi i Kosovës, sipas tij, do t'i jepte një frymë të re stabilitetit të rajonit dhe në këtë drejtim po punohet nga e gjithë diplomacia ndërkombëtare, për të bërë hapat e nevojshëm. Gjatë samitit, u tha se mbi statusin e Kosovës po punohet për një unifikim të mendimeve dhe interesave diametralisht të kundërta.

Deklarata

Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive, nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët mbi Samitin "Dialogu ndërfetar dhe ndëretnik - një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin në Evropën Juglindore". Krerët e shteteve kanë rënë dakord, për të çliruar veten nga grindjet e së kaluarës, duke praktikuar një kulturë dialogu, brenda secilit vend dhe ndërmjet vendeve të rajonit. Në këtë deklaratë nuk ka pasur asnjë hapësirë për problemin e Kosovës. "Paqja është e pandashme nga dialogu. Sfida, me të cilën ndeshemi përditë, është zëvendësimi i frikës me pranimin, i ngacmimit me tolerancën dhe i urrejtjes me respektin", citon deklarata. Dje u theksua se "çfarëdolloj forme totalitarizmi është e papajtueshme me dialogun". Samiti është vlerësuar si një hap i mëtejshëm në lartësimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ushtrimit të lirisë së besimit, të folurit të gjuhës mëmë dhe respektimit të traditave, të cilat përbëjnë disa nga të drejtat më themelore të çdo qenieje njerëzore. Nga krerët e qeverive Ballkanike është vlerësuar roli i Shqipërisë në vendosjen e dialogut dhe bashkekzistencës së suksesshme ndërfetare, duke e shpalosur veten në një harmoni mes njerëzve, të cilët jetojnë së bashku dhe që i përkasin feve të ndryshme. Ndërkohë, që të drejtat e pakicave janë respektuar dhe nuk janë diskriminuar. Deklarata thekson më tej se, "pakicat kombëtare janë ura lidhëse, dhe mirëkuptimi ndërmjet popujve dhe vendeve, e nëse nuk i kushtohet vëmendje, përplasja mbi identitetin kulturor mund të degjenerojnë shumë shpejt në burime instabiliteti si brenda vendeve, ashtu edhe mes tyre". Arsimimi i brezit të ri me ndjenjën e gjithëpërfshirjes, tolerancës dhe edukimit qytetar do të largojnë dhunën dhe konfliktet.

Krerët e shteteve të Ballkanit, tashmë do të kenë një synim "të sigurojnë integrimin në strukturat euroatlantike në një Evropë të bashkuar, e cila për 60 milionë njerëz premton stabilitet dhe përparim, çliruar nga konfliktet ndërfetare dhe ndëretnike". Rritja e bashkëpunimit rajonal duhet të bëhet rrugë e natyrshme, për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit.

Si do të konkretizohet deklarata e Samitit

Vullneti i përfaqësuesve politik dhe ai i popujve të Ballkanit do të jetë çelësi i suksesit të zbatimit të deklaratës së përbashkët ndëretnike dhe ndërfetare të Samitit të Tiranës. Edukimi i një brezi të ri me ndjenjat e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndëretnik dhe ndërfetar, do të jetë hapi i parë drejt stabilitetit në rajonin e së ardhmes. Samiti i Tiranës sapo ka hapur rrugën për dialog dhe paqe, mes krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, duke synuar prosperitet të rajonit, ku politika do të jetë përgjegjësja kryesore, për zbatimin e pikave kyçe të dala nga ky samit. Rruga e sigurtë për një bashkëjetesë ndëretnike dhe ndërfetare është ndikimi që kanë këto vlera në sistemet arsimore. Kështu, angazhimi i vendeve për arsimimin e një brezi të ri evropian në frymën e përfshirjes, duke ngulitur ndjenjën e të kërkuarit falje në vend të urrejtjes, duke promovuar tolerancën, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën në vend të konfliktit dhe dhunës, duke përforcuar edukimin qytetar dhe duke respektuar të drejtat e njeriut, ka qenë në thelb të deklaratës së Presidentëve. Kapërcimi i barrierave etnike dhe fetare duhet të jetë tashmë fjala e parë e shteteve të Ballkanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›