E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kullosnin bagëtinë, vret plakun për tokën e tjetrit

07/01/2011  Autori 67 vjeç, viktima 75 vjeç

TIRANË- Për tokën e tjetrit një i moshuar vret me thikë fqinjin e tij. Nga burimet e policisë mësohet se ditën e djeshme, rreth orës 11.30, në Yrshek të Tiranës, pas një grindje të çastit midis dy shtetasve, ka gjetur vdekjen 75-vjeçari Feim Leka, me banim në Yrshek Tiranë. Menjëherë në vendngjarje shkuan, oficerë të policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, të cilët bënë sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat. Për hetimin e kësaj ngjarje u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, nga të cilët u konkludua se grindja përmes autorit dhe viktimës të ketë qenë për motive pronësie, pasi pak kohë më parë viktima i ndjeri Feim Leka dhe autori, kishin marrë me qira një pjesë toke, me qëllim për të kullotur bagëtitë së bashku. Paraprakisht, dyshohet se viktima dhe autori janë grindur së bashku dhe më pas autori ka goditur me armë të ftohtë thikë 75-vjeçarin Feim Leka, i cili ka gjendur vdekjen e menjëhershme. Vendi se ku do ta kullosnin bagëtinë ishte kthyer prej kohësh në një burim sherresh mes dy të moshuarve. Familjet ishin përpjekur që t’i ulnin tensionet, por pa mundur ta arrinin një gjë të tillë. Nga puna hetimore e kryer nga Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit në bashkëpunim me Shërbimet e Parandalimit dhe të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.6 Tiranë, u arrit të bëhej i mundur identifikimi dhe më pas kapja e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje, i cili dyshohet të jetë 67-vjeçari Isuf Sinani, me banim në Yrshek të Tiranës. Aktualisht, ndaj 67-vjeçarit po merren deklarime si person nën hetim dhe po merret masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të “vrasjes me dashje”, ndërkohë që materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme. Nga burimet policore mësohet se Sinani është shprehur se ishte përpjekur t’ia mbushte mendjen Lekës që të mos i kulloste më lopët tek pjesa e tokës ku ai paguante qiranë. Edhe përpara se ta vriste Sinani i kishte thënë viktimës që t’i largonte menjëherë bagëtitë që aty, por kundërshtimi nga ana e tij solli edhe këtë ngjarje të rëndë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›