E Diel, 1 Nëntor 2026

Loja me Ramushin

02/04/2005  Ish-Kryeministri i Kosovës shkoi në Hagë, dhe tash kena nisë me u msue pa te. Bile kena nisë me ba lojna, me kallxue se ai po thirr me telefon, me ja bajtë dert se partia i ka mbet keq me thanë se koalicioni qeverisës u marue për hatër të tij dhe tash duhet me u prish, poashtu jena shlirue e kena fillue me e kritiku rrastë edhe atë edhe qeverinë e tij tue konkludue me kompetencë se e vetmja gja qi ka vlejtë asht kanë dorëzimi i tij vullnetar. Po kërkohet edhe burrat e tjerë të Kosovës me e mbajtë fjalën e me dhanë dorëheqje se njeriu dy herë kollet po njiherë flet, ata që ja kanë zanat me i përcjellë telefonat po thojnë se Ramushi po përlahet me Dacin... krejt këto janë nëpër gazetat dhe mediumet tona, i kanë mbushë shkrolat e analistëve që janë ba përnime eksperta me e shpërla trunin e kosovarëve se po duket të vetin moti e kanë pasë t ‘shpërlam.

Ajo që njihet si nji propagandë e nivelit të ulët si nji farë lufte speciale e keqe, po ndodhë këto ditë në shtypin e Kosovës, nëpër faqet e pagueme apo edhe veç të foluna e të faluna, që nuk asht hera e parë te shqiptarët se shumë frikë asht pa në Shqipninë e ‘96, në muejtë e ngjeshun për me ja shti flakën më në vitin e njohun të ’97-tës.

Ta njekim vijën e krejt asaj që këta artikullshkrues po dojnë me na bindë: se koalicioni LDK-AAK asht ba për hatër të Ramushit, se asht ba për mos me e çue Ramushin në Hagë, se asht koalicion i panatyrshëm, se i asht futë thikë mbas shpine çlirimtarëve, se ky koalicion ishte i pasuksesshëm, se ata që e banë nuk ia deshtën të mirën Kosovës, por i panë kolltuqet e veta, se kjo qeveri me decentralizim deshti me e nda Kosovën, se nuk janë plotësue asnjani prej standardeve, bile as ai për TMK-n, se në Qeveri janë futë njerëzit e krimit apo të afërm të krimit, që ma së paku janë të dyshimtë, se tash Bajrami (Kosumi jo Rexhepi) nuk asht vazhdimësi e Ramushit etj. Je i mirë nëse nuk ju ke zanë udhën, por nëse u pengon atëherë të kthehen e të shpikin ato që as ëndërr s’i ke pa.

Nashta tue pasë dokumentacion të bollshëm edhe në fotografi edhe në shkrime gati rregullisht në faqen e parë e detyrimisht të paralajmuen në ballinë dikush do të banë tema diplome në fakultetet tona, edhe për llojin e propagandës dhe të shtimet e edhe të shtihumet, por edhe për nivelet e kohës tonë, jo veç të gazetarisë, por edhe të kulturës të komunikimit , të stilit e sidomos të karaktereve të personazheve dhe të autorëve e autoriteteve. Si thojnë dokumentet mbesin e historia shkruhet prej tyne. Nji shansë për ata që po dojnë me diplomue e me marrë titlla mbasi punët tjera i kanë vnu në dyzen.

Hajt t’ju besojmë krejt këtyne, e të pyetemi nëse këto te kokan përnime a na banë mirë neve, a i banë mirë Kosovës, a i banë mirë atyne që thojshin se Ramushi pa shkue në Hagë po e mbanë peng Kosovën, atyne që thojshin se ai nuk mundet me marrë vendime si kryeministër pa u skjarue puna e Hagës, atyne që u gzuen kur u hapën aktakuzat e para prej gjashtëve të Tribunalit, ata që përpara e dijshin që akuza asht për Dukagjin etj.

Krejtë këta po harrojnë që aktakuzat e Hagës për cilindo shqiptar të Kosovës janë të turpshme tue marrë parasyshë luftën për liri, tue marrë parasysh sakrificën e popullit, tue marrë parasysh përkushtimin e luftëtarëve të UÇK-s, tue marrë parasysh karakterin mbrojtës të luftës, tue marrë parasysh se lufta dhe kalvari jonë u zhvillue në tokën e Kosovës e jo në ndonji vend tjetër as në Serbi. Atëherë pse për Kosovën e për Ramushin do t’ishte kanë ma mirë me shkue në Hagë si kryetar partie, si Ramush, si Komandant i Dukagjinit, disa edhe thojnë i nji krahu të luftës, mbasi ky nuk ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, me shkue si Smajl e kurrsesi nuk asht dasht me shkue si Kryeministër, bile nuk asht dasht as me u zgedhë pa e pa çka po bahet me akuzat e Hagës...

Kah kjo logjikë, çka po donë me na tregue, ndoshta se na ishim pajtue me e çue Ramushin gjithëseqyshë, si i bam me do tjerë, por veç jo si Kryeministër se jena koritë, dhe ata që e kanë ba kryeministër janë të dyshimtë, kanë desht me e destabilizue vendin, bile nashta mujnë me kanë edhe tradhtarë qi s’ja dojnë të mirën Kosovës, ose që i ka shti dikush me punue kështu.

Hajt t’ja heqim dushkin kësaj pune, si thotë populli. Kur unë bajë qeveri me Rugovën jam patriot, kur ti banë je tradhtar, kur unë baj decentralizim asht interes i Kosovës, kur banë ti asht ndamje e Kosovës, kur unë bisedojë me Serbinë e paraqitem me shkue në Beligrad asht trimni, kur ti i banë këto asht e dyshimtë e duhet konsensus ma spaku kombëtar, kur ti i bjen ligjet në Parlament e i miraton me votim asht demokraci, kur unë e bajë të njëjtën gja asht dhunim i demokracisë… veç ka met tash me e përcaktue kush asht i dashni i Zotit kush mundet me folë e kush duhet me çelë llagome… Edhe kjo nuk asht diçka e re për neve, se e kemi përjetue politikën e luftës së klasave, edhe të sektarizmit edhe të ndamjes e segregacionit edhe të leçitjes. Sikur dikujt i ka i mbet marak që nuk ka jetue atëherë.

Gjithmon kam mendue se jemi popull e vend i vogël, që, s’i ka pasë thanë njani edhe therë me kanë, tjetri nuk duhet me shkelë, por duhet me qitë në gardhë, aty ku e ka vendin e ja sheh hajrin. Atëherë pse nuk mujna mu ba bashkë në ide e në veprime, por dojmë me kanë bashkë veç në karrige. Pse sot nuk del nji i mneqëm si dikur rilindasit e me dhanë ide përreth të cilës bashkohemi simbas arsyes e orientimeve strategjike, po e bajmë luften e mujtjes së njani-tjetrit e fitimit mbi fatkeqësinë e tjetrit.

Mendoj se Parlamenti asht vendi e kuvendi, ku mujm me i qitë të tana në letër e me lypë përkrahje jo veç me fjalë. Asht mirë si popujt e meqëm para neve me ja nisë me gjanat e vogla, me bisedu e me pi kafe bashkë, me debatu dhe me nxjerrë konkluza me miratu atë për të cilën jemi pajtu, mandej me e mbajtë fjalën e me zbatue. Nuk asht politikë taman mos me i respektue votat e popullit, mos me e dashtë fuqinë e votës, me thanë se nuk u ba pavarësia se nuk e pata shumicën në Parlament.

Politikat janë gjithëfare dhe prej se asht nisë bota kanë mbijetue deri tash, ama krejtë pajtohen dhe historia e ka dëshmue se politika që i mbanë parimet, që asht e sinqertë që i respekton procedurat, që e lidhë interesin e vet me të popullit dhe të vendit gjithmonë ka qenë politika ma e mirë, ma e përkrahun ma e qëndrueshme që ja ka zbardhë fytyrën edhe vedit edhe vendit. Vota e banë pushtetin edhe pse ka edhe metoda edhe mënyra tjera. Edhe pasoja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›