E Diel, 1 Nëntor 2026

Netët e klipit

02/04/2005  Sonte gara e muzikës skenike

Festivali “Netët e klipit”, prodhim i “Deliart Assocation” starton në edicionin e tij të katërt më 2 prill, duke u prezantuar këtë vit nga Leonard Bombaj dhe Filomena, balerina 20-vjeçare që ka ardhur nga Italia për të studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Në tetë javë me radhë, çdo të shtunë do të konkurrojnë artistë dhe studio të ndryshme muzikore me klipet e tyre, deri në natën finale, kur do të ndahen dhe çmimet: klipi më i mirë në të gjithë komponentët; kamera më e mirë; produksioni më i mirë; interpretimi më i mirë; regjia më e mirë; klipi më i votuar nga publiku. Ndryshe nga edicionet e tjera, këtë vit janë shtuar dhe dy çmime të tjera: figura më e mirë skenike; grafika më e mirë si dhe klipi më i mirë për këngëtaren femër dhe për këngëtarin mashkull dhe çmimi i medias. Janë çmime që shtohen këto, duke parë se prurjet e këtij viti, ndryshe nga edicionet e tjera, janë shumë më cilësore. Nëse në fillimet e këtij festivali, që u ideua nga regjisori Petri Bozo për të nxitur krijimin e traditës së videoklipeve artistike (mungesa e të cilave dukej qartë në tregun muzikor shqiptar) prezantoheshin klipe të një niveli që të linin për të dëshiruar deri këtu, në këtë edicion të katërt prezantohet studio, këngëtarë dhe klipe të realizuara me shumë mjeshtëri. Do të jenë rreth 90 klipe që do të kalojnë në syrin kritik të një jurie të përbërë nga emra të njohur të artit shqiptar si Piro Milkani, Yllka Mujo, Sajmir Kumbaro, Diana Çuli etj. Klipet konkurruese vijnë edhe nga Kosova e Maqedonia, me të cilat këtë vit konkurrojnë denjësisht edhe klipet e realizuara në Shqipëri.

Festivali do të transmetohet te TVA, TV Koha, Sat Plus dhe në Radio Televizionin 21 të Kosovës dhe në valët shtetërore maqedonase MKTV3. Ky festival nisi për herë të parë në vitin 2002. I apasionuar pas klipeve, regjisori Petri Bozo, duke ndjerë mungesën e klipeve të mirëfillëta artistike, vendosi të bëhej vetë promotor i një festivali që do të nxiste artistët dhe studiot muzikore për krijimin e kësaj tradite të munguar. Dhe ja ku vjen në edicionin e katërt të këtij festivali, ku arrin të pohojë me bindje të plotë se, tashmë klipet e realizuara në Shqipëri janë në nivelet e klipeve që vijnë nga përtej kufijve. Ka ndryshuar me kalimin e viteve mentaliteti i artistëve. Shumë prej tyre e ka kuptuar se prezantimi më dinjitoz në tregun muzikor vjen pas realizimit të një klipi artistik. “Na vjen mirë që me këtë festival kemi ndikuar jo pak në ndryshimin e mentalitetit të artistëve”, pohon Petri Bozo.

Në këtë edicion të katërt do të jenë të shumtë këngëtarët që do të vijnë nga Kosova dhe Maqedonia për të qenë prezent në prezantimin e klipeve të tyre të reja. Kështu që në natën e parë do të jetë Mihrie Braja, Blero, Ilir Shaqiri, Ritmi i Rrugës, Elita Pesë, Grupi Votra, Ermal e Sabri Fejzullahu, Gili etj. Ledina Çelo, një javë para se të niset për në Festivalin Evropian, do të jetë e ftuar në mbrëmjen e radhës së këtij festivali, për të prezantuar versionin e ri të këngës dhe klipin e saj shoqërues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›