Kultura rajonale, pa menaxherë
Mungesa e politikës kulturore, mungesa e parave të ndara për kulturë, dhe jodinamika e emisioneve të kulturës, janë arsyet kryesore për interesimin gjithnjë e më të ulët për këtë fushë në rajon.
Ky është përfundimi i Konferencës së Dytë Rajonale BICEED (Balkan Initiative for Cultural Coopetarion, Exchange and Development), e cila u mbajt të shtunën në Hotel Afa, në Prishtinë, në organizim të Rrjetit Ballkanik Rajonal Hulumtues – BIRN.
Gazetarë dhe redaktorë të shtëpive mediale nga Bosnje e Hercegovina, Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Serbia, por edhe përfaqësues të organizatave kulturore më me ndikim, biseduan rreth sfidave me të cilat përballen, në kohën kur janë ulur dukshëm mjetet e ndara për kulturë, por edhe për atë se çfarë do të duhej të bënin institucionet e kulturës për avancimin e mbulimit medial të kësaj fushe me rëndësi.
Njëri prej konkludimeve të përbashkëta të pjesëmarrësve në panelin “Kultura dhe Mediat” ishte se, ndoshta, problemi më i madh është mungesa e menaxherëve të kulturës, të cilët do të merreshin me planet strategjike të udhëheqjes së politikës kulturore.