Kumanova, Kërçova, Shkupi duan flamur
Nga firmosja e Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët në Maqedoni në rajonet ku janë pakicë akoma e kanë të ndaluar përdorimin e lirë të flamurit kombëtar shqiptar.
Legjislacioni i Maqedonisë në mënyrë të vendosur e ndalon përdorimin e lirë të flamurit kombëtar, në komunat ku shqiptarët janë më pak se 50 për qind.
Qytetarët e këtyre rajoneve janë shprehur të revoltuar nga ky ligj, i cili sipas tyre u mohon një të drejtë elementare për shtetet me një demokraci të zhvilluar.
Ata thonë se qeveria e Maqedonisë, njëherë e përgjithmonë duhet të ndryshojë këto ligje, që janë me karakter diskriminues për një pjesë të qytetarëve.
Parlamenti i Maqedonisë muajin e kaluar e miratoi projekt-ligjin për përdorimin e flamujve të komuniteteve.
Me këtë ligj parashikohet që flamuri shqiptar të përdoret në disa komuna me shumicë shqiptare dhe konkretisht në komunat e Haraçinës, Bërvenicës, Vraçishtit, Gostivarit, Dibrës, Zhelinës, Zajazit, Bogovinës,Likovës, Osllomejit, Strugës, Studeniçanit, Tearcës, Tetovës, Sarajit dhe të lagjes shqiptare në Shkup të Çairit.
Ndërsa pa të drejtë të flamurit kombëtarë kanë mbetur shqiptarët e Kumanovës, Kërçovës, Manastirit, Velesit, si dhe pjesës më të madhe të Shkupit, me përjashtim të dy komunave.
Në bazë të këtij ligji, në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi pesëdhjetë për qind të popullatës, ata do të mund ta përdorin flamurin kombëtar në institucionet publike vendore.