OKB dënon dhunën në Siri
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka dënuar goditjen e përgjakshme të qeverisë së Sirisë kundër protestuesve anti-qeveri, duke akuzuar regjimin e presidentit Bashar al-Adsad, për shkelje të gjëra të të drejtave të njeriut.
Në deklaratën presidenciale të Këshillit të Sigurimit, dënohet ajo që përshkruhet si “shkelje e gjerë e të drejtave të njeriut dhe përdorimi i forcës kundër civilëve nga autoritetet e Sirisë” dhe bënë thirrje për ndaljen e menjëhershme të dhunës.
Po ashtu, bëhet thirrje për të gjitha palët për përmbajtje dhe në një referencë të qartë për protestuesit, theksohet që të përmbahen nga sulmet kundër institucioneve shtetërore të Sirisë.
Rusia, aleate e vjetër e Damaskut la të kuptohej për herë të parë, se nuk do ta kundërshtojë rezolutën e OKB-së që dënon dhunën.
Moska i kishte rezistuar për një kohë të gjatë kësaj mase të Këshillit të Sigurimit, ku ajo ka të drejtën e vetos.
Në ndërkohë, tanket e ushtrisë hynë në qytetin e Hamas, ku banorët njoftuan se kanë dëgjuar shpërthime.
Aktivistët dhe dëshmitarët thanë se tanket kanë pushtuar sheshin qendror, që ka qenë vend grumbullimi për protestuesit, të cilët kërkojnë dorëheqjen e presidentit Bashar Al Assad.
Ata thonë se më tepër se 130 njerëz janë vrarë në mbarë Sirinë që nga e diela, kur qeveria i shtoi masat shtypëse ndaj disidentëve.