E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Nuk ka demokraci për gangsterë

• "Franku V" ngjitet sot në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar.

ANILA MEMA

 Rikthehet pikërisht pas 17 vitesh, nga po i njëjti regjisor që e vuri në skenë në vitin 1990, Arben Kumbaro. E ndërkaq ndryshojnë kohët, ndryshon koncepti, po aq edhe artistët që marrin pjesë në të. Ndaj sot do të keni mundësinë të shihni një premierë ndryshe, që çel njëkohësisht edhe sezonin e ri të teatrit shqiptar në orën 19:00. Nëse për herë të parë kjo vepër e dramaturgut të njohur gjerman, Fridrih Durrenmat, e vënë në skenën e teatrit "Migjeni", provat gjenerale të së cilës janë shoqëruar me demonstratat e paana në vend, pas rënies së komunizmit, sot kjo vepër vjen në një tjetër sistem dhe me të tjera kushte. Për regjisorin Kumbaro, pavarësisht këtij ndryshimi, impakti, potenciali, filozofia, forca politike dhe estetike e kësaj vepre, flet në çdo realitet dhe kjo për të ka qenë një nga arsyet më të forta që e shtyu ta rikthehej sërish në skenë. Por një ditë para premierës nuk dëshiron të flasë gjatë. "Do të kemi kohë të flasim pas premierës, për të cilën shpresojmë që publiku të ketë interes" shton Kumbaro, gjatë konferencës për shtyp, ku marrin pjesë edhe aktorët që interpretojnë në të. Nuk janë pak, por rreth 23 artistë, pa të cilët regjisori shton se nuk do e kishte bërë dot këtë shfaqje. Dhe nuk rresht së falënderuari të gjithë me radhë, me të cilët ka nisur punën rreth dy muaj më parë. "Eshtë një vepër me përmasa të mëdha. E kam vënë për herë të parë në vitin '90 dhe kjo është hera e dytë që vjen në Shqipëri. Autori nuk është i panjohur për realitetin shqiptar. Por kësaj here vepra vjen me një konotacion shumë të fortë politik, sikurse ishte edhe atë kohë sistemi komunist që ndodhej në gradën e fundit. Prova e përgjithshme në atë kohë ka koinciduar me demonstratën e parë. Ato pesë shfaqjeje të kësaj vepre janë shoqëruar me avari të ndryshme dhe për këtë dua të falënderoj aktorët e mëdhenj, që me sakrificën e tyre të jashtëzakonshme mundën ta ngjisnin në skenë", ka thënë Kumbaro gjatë një konference të parë për "Franku V". Ndërkohë dje, ritheksoi sërish se ndonëse sistemet kanë ndryshuar nuk ka demokraci për gangsterë. "Franku V", e shkruar në vitet '60, është një vepër poetike që i flet realitetit të çdo kohe dhe çdo vendi dhe platforma regjisoriale parashikon një vënie në skenë origjinale të kësaj tragjikomedie muzikore, ku sipas regjisorit do të interpretohen rreth 13 numra live nga vetë aktorit. Përpos aktrimit dhe këngës, regjisori i ka kushtuar shumë vëmendje edhe lëvizjeve koreografike të aktorëve. Skenografia e Genc Shkodranit do të sjellë një dekor madhështor sipas tij, por edhe kostumet janë për t'u vlerësuar, me të cilat po punon stilistja Anila Zajmi. "Një nga risitë e kësaj vënie në skenë është edhe kompozimi muzikor i të gjithë veprës nga Endri Sina me orkestrinë live në skenë që do të drejtohet nga Mario Deda dhe orkestra e tij ndërkohë lëvizjet koreografike të aktorëve janë përshtatur nga koreografi Gjergj Prevazi", thotë Kumbaro. Në interpretimin e kësaj vepre marrin pjesë aktorë të njohur të teatrit shqiptar si Luiza Xhuvani, Roland Trebicka, Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Fatos Sela, Neritan Licaj, Mehdi Malkaj, Naum Shundi, Vangjel Toçe, Sokol Angjeli, Olta Daku, Indrit Çobani etj.

Tragjikomedia me gangsterë
"Franku V" është cilësuar nga kritika botërore si versioni modern i "Rikardit III" dhe përpjekje alternative e veprës së Brehtit "Opera për tre grosh". Tek Brehti gangsterët janë borgjezë, ndërsa te Durrenmat borgjezët janë gangsterë. Kritikë të ndryshëm e kanë cilësuar këtë vepër si: komedi-muzikore, tragjikomedi, tragjedi groteske, grotesk-kriminal. Durrenmat si një nga kolosët e dramaturgjisë moderne gjermanofone të shekullit XX-të e rimori këtë temë me synimin për të reflektuar ndryshimet sociale që kishin ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore si pasojë e lulëzimit të konceptit liberal perëndimor të kapitalizmit josocial. Situata është shumë e ngjashme sot me ndryshimet që ndodhën në Evropën Lindore pas viteve '90-të. Kjo pjesë është vënë me shumë sukses në këto vende pikërisht si metaforë e një shteti banditësh me veladonin e kuq dhe ideologji të majtë.

Sfida e Kumbaros
Këtë vepër regjisori Arben Kumbaro e ka vënë për herë të parë në teatrin "Migjeni", në vitin 1990 në prag të përmbysjes së komunizmit, duke pasur një impakt të jashtëzakonshëm me publikun dhe situatën e asaj kohe. Kjo është edhe një nga arsyet pse regjisori i rikthehet realizimit të "Franku V" për skenën e Teatrit Kombëtar. Në këtë vepër kanë interpretuar emrat më të njohur të teatrit shqiptar të asaj kohe, si Bep Shiroka, Tinka Kurti, Marie Qysqari etj. Për regjisorin premiera e "Franku V" është ndër sfidat më të rëndësishme, më të vështira dhe të mëdha për nga komponentët e realizimit. Dhe për të, vënia në skenën e tetarit Kombëtar ka angazhuar potencialet e tij më të mira artistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›