E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumbaro rihap dosjen e Remzi Hoxhës

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria shqiptare filloi procedurat për ekstradimin e ish-agjentit të Shërbimit Sekret, Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e tre personave, mes të cilëve edhe i zhdukuri Remzi Hoxha. Organi i akuzës ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë dosjen me vendimin e gjykatës për masën e arrestit ndaj ish-shikasit 53-vjeçar si dhe një kopje të aktakuzës ndaj tij. Dosja është dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, e cila pritet ta përkthejë materialin dhe përmes Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, të dërgojë në drejtim të Londrës dosjen me kërkesën e ekstradimit të Ilir Kumbaros. Burimet nga Prokuroria thanë dje se ekstradimi i ish-agjentit të SHIK-ut, i akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës, hap një kapitull të ri në historinë e kësaj dosje. Ish-shefi i Drejtorisë së parë Operative të SHIK-ut të Tiranës nuk është kontaktuar asnjëherë nga drejtësia, edhe pse akuzohet se ka qenë një nga drejtuesit e operacioneve për arrestimin e Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopullit në tetor 1995. Prokuroria tha se ende nuk e di qëndrimin e Ilir Kumbaros ndaj akuzave që janë ngritur, por konfirmoi se dëshmitë e ish-shikasit 53-vjeçar në rast se ai pranon të flasë, mund të hedhin dritë mbi detaje të panjohura më parë. Dy ish-agjentët dhe ish-zyrtarët e SHIK-ut që janë të pranishëm në gjyqin që po zhvillohet për këtë çështje te Krimet e Rënda në Tiranë, kanë mohuar se kanë dijeni për ngjarjen, ndërsa ish-oficeri i tretë, Avni Koldashi, ka pranuar dijeninë për shoqërimin e Remzi Hoxhës deri në Kamzë me urdhër nga SHIK-u i Tiranës, por ka thënë se nuk di asgjë çfarë ka ndodhur më tej. Në kushtet kur dy ish-agjentët e tjerë mohojnë dijeninë e tyre, Ilir Kumbaro mbetet i vetmi që mund të hedhë dritë mbi vendin ku prehen eshtrat e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë thanë se pyetja e Ilir Kumbaros është detyrim procedural, për shkak se ai nuk ka dhënë deklarime asnjëherë për drejtësinë. “Në rast se ky person tregon rrethana të pashqyrtuara nga hetimet e deritanishme, dosja penale që është në gjyq mund të tërhiqet për hetime të tjera”, thanë burimet zyrtare të akuzës. Sipas tyre, grupi i hetimit do të presë vendimin e gjykatës në Londër për ekstradimin e më pas do të marrë masa për pyetjen e Ilir Kumbaros. “Ekzistojnë të gjitha kushtet ligjore për ekstradimin e tij, por gjithsesi ky person do të merret në pyetje si në Londër dhe në Tiranë”, thanë burimet e Prokurorisë, duke marrë në konsideratë edhe mundësinë që gjykata angleze të refuzojë ekstradimin e ish-agjentit të Shërbimit Informativ Kombëtar.

Arresti i Kumbaros pas 13 vite arratisjeje

TIRANE – Ish-shikasi i Drejtorisë Operative të Tiranës, Ilir Kumbaro, është arrestuar tri ditë më parë në Londër pas një ndjekje dhe vëzhgimi sekret 20-ditor. Prej vitit 1996 ai ishte larguar në mënyrë misterioze nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë. Ish-oficeri i Shërbimit Sekret qëndronte në Londër prej 13 vitesh, edhe pse pesë vite me parë u shpall në kërkim ndërkombëtar për akuzën e rrëmbimit dhe torturave ndaj Remzi Hoxhës. Tre ish-kolegë të tij u arrestuan në Tiranë në vitin 2003, por më pas u lanë të lirë, pasi gjykata vlerësoi amnistimin e tyre me një dekret presidencial të qershorit 1997. Megjithatë dosja u rihap dhe në pranverën e këtij viti katër ish-punonjës të SHIK-ut u dërguan të pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ilir Kumbaro menjëherë u shpall në kërkim ndërkombëtar, ndërsa ndërronte banesat në Londër, me qëllim që të mos zbulohej. Identiteti i rremë i tij u zbulua dhe menjëherë pala angleze hapi një gjyq ku i kërkoi të vërtetonte identitetin. Kumbaro nuk arriti ta bënte këtë, ndërsa u identifikua nga fotografitë e vëzhgimit që ishin dërguar tashmë në Tiranë.

I rrëmbyeri Kristopulli: Ilir Kumbaro,një nga torturuesit në bazën e SHIK-ut

TIRANE – Një nga tre personat e rrëmbyer nga Shërbimi Informativ në tetor 1995, Ziso Kristopulli, ka dëshmuar në media dhe në gjykatë se Ilir Kumbaro, ish-oficeri i arrestuar së fundi në Londër, ka qenë një nga personat që ka kryer keqtrajtime ndaj personave që merreshin në pyetje. “Kur mbërritëm në Vain të Lezhës, Avni Koldashi më hoqi thesin dhe më përshëndeti, duke më thënë se puna e tij mbaronte aty. Më morën persona të tjerë që më vendosën në një dhomë. Erdhi një person që më vonë e mësova se ishte Ilir Kumbaro, që ushtroi dhunë ndaj meje, më pas edhe Budjon Meçe, një person rreth 120 kg më godiste me një urrejtje të papërshkruar”, ka dëshmuar Ziso Kristopulli në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Sipas tij, Ilir Kumbaro ka marrë pjesë në torturat që ushtroheshin me litar të lagur, me shkop gome apo edhe me shufra gome ndaj personave që ishin ndaluar nga SHIK-u dhe po merreshin në pyetje lidhur me veprimtarinë e tyre. Ziso Kristopulli, pas rrëmbimit në Sarandë, është transportuar për në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku është pyetur dhe është zhdukur edhe Remzi Hoxha. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›