Shoferi i Policisë Rrugore aksident me dy të lënduar në Tiranë
TIRANE – Shoferi i shefit të Policisë Rrugore të Tiranës aksidenton lehtë një çift të rinjsh në rrugën “Budi”, Qyteti Studenti. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:30, kur shoferi i Krenar Ahmetit ka qenë duke ecur në një distancë prej disa metrash mbrapsht për të ndjekur një automjet, ndërsa makina e tij ka dalë nga kontrolli, duke u ngjitur në trotuar dhe më pas duke thyer xhamat e një dyqani. Nga incidenti ka mbetur i dëmtuar lehtë një çift të rinjsh, të cilët morën mjekime në spital dhe më pas u kthyen në banesën e tyre. Vajza mësohet se ka marrë një plagë nga goditja e makinës, por sipas burimeve nuk ka pësuar dëmtime serioze. Ajo është kontaktuar dje në mbrëmje nga vetë drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Hamdi Fiora, të cilit vajza i ka pohuar se nuk kishte dëmtime serioze. Drejtori i Policisë së Tiranës, Hamdi Fiora, ka ndjekur me vëmendje këtë incident dhe konfirmoi se të plagosurit janë dërguar në spital nga vetë shefi i komisariatit të Policisë Rrugore, Krenar Ahmetaj. Ai ndodhej në makinën që po drejtohej nga shoferi i tij dhe menjëherë pas aksidentit në kryerje të detyrës, Ahmeti u ka dhënë ndihmën e parë të dëmtuarve duke i dërguar në spital. Pasi kanë marrë mjekimet e nevojshme, dy të rinjtë janë larguar në drejtim të banesës së tyre. Sipas dëshmitarëve, shoferi i kreut të Rrugores ka qenë duke ecur indietro për të ndjekur një automjet të markës “Renault”, pas një kundërvajtje të vënë re nga Policia Rrugore. Në momentin që ai ka tentuar të kthente automjetin, pjesa e pasme e tij ka hyrë në një dyqan këpucësh pranë një farmacie, përballë një hoteli. Pjesa e pasme e mjetit ka thyer xhamat e dyqanit, duke shkaktuar edhe dëmtimin e dy të fejuarve që po kalonin rrugën. d.b