Topalli: Rama të dorëhiqet, manipuloi me Trebickën
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka kërkuar dje dorëheqjen liderit të PS-së, Edi Rama, pasi ai ka manipuluar me vdekjen e Kosta Trebickës. Nga Malësia e Madhe ku ndodhej së bashku me Kryeministrin Sali Berisha në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, nënkryetarja e PD-së tha se manipulimi me vdekjen e një njeriu është shembulli më i mirë i hipokrizisë së liderit të PS-së. Sipas Topallit, nëse një gjë e tillë do të ndodhte në një vend demokratik, kreu i asaj partia do ishte larguar nga drejtimi i partisë. “Të mbjellësh katastrofizëm sa herë që hap gojën, nuk është alternativë qeverisëse. Të mbështesësh të ardhmen tënde mbi frikën e mbjellë me mashtrim mbi njerëzit që të besojnë, është stalinizëm, polpotizëm, fidel kastrizëm, dhe politikë më të vjetër e më të mjeruar se kjo, nuk mund të ketë. Në çdo vend demokratik të botës, një kryetar partie do kishte dhënë dorëheqjen”, theksoi Topalli teksa shtoi se kërkimi i ndjesës publike është më minimalja për këtë rast. Sipas nënkryetares së PD-së, rezultatet e punës së qeverisë janë të dukshme, dhe të vlerësuara nga shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar. “Të gjithë ne kemi arsye të jetojmë të sotmen me optimizëm, të presim të nesërmen me një shpresë edhe më të më madhe për fëmijët tanë. Më vjen keq që opozita, këtë fitore të Shqipërisë e përjeton si një disfatë të sajën, më vjen keq për qytetarët shqiptarë, që janë aq të ekspozuar çdo orë, çdo minutë ndaj dezinformimit të pamoralshëm”, vijoi më tej Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se “Të mbështesësh mbijetesën tënde politike mbi frikën, pasigurinë e mbjellë ndaj njerëzve që të besojnë, është e pabesë, është pa të ardhme. Politikë më të vjetëruar se kjo nuk mund të ketë. Është një trishtim që opozita e sotme duhej ta kishte lënë papa së bashku me rënien e murit të Berlinit, murin e frikës ndaj lirisë së dinjitetit njerëzor”. R.D