E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çipa: “Situatë kritike për shtypin e shkruar”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri, Aleksandër Çipa, reagon pas mbylljes së gazetës TemA. Sipas tij, mbyllja e këtij subjekti mediatik tregon për një panoramë kritike për situatën e krijuar të shtypit në Shqipëri. “Në të gjithë botën mbyllja e një organi mediatik është një akt i trishtuar, i cili cenon vlerat e pluralizmit dhe gazetarisë bashkëkohore”, - tha Çipa në emër të Unionit të Gazetarëve. Por, siç theksoi ai, mbyllja e një shtypi të shkruar krijon dhe intrigon për komunitetin e gazetarëve, sepse në plan të drejtpërdrejtë mbyllet tregu i punës. “Ndikon sepse krijohen vështirësi për gjetjen e punës dhe krijohet dhe një raport tejet kritik në kuadër të lirisë së mediave të shprehjes”, - tha ai. Çipa kujton se Shqipëria në vitet e fundit shënohet si një ndër vendet që kanë mbyllur media jo vetëm për shkak të kushteve financiare. “Në harkun kohor të 5 viteve të fundit, në Shqipëri janë mbyllur 4 gazeta të përditshme, si: “Dita”, “Libertas”, dhe së fundi, gazeta “TemA” dhe “Ekspres”. Kjo është një panoramë kritike për situatën e krijuar të shtypit të shkruar në Shqipëri dhe për rrjedhojë krijon dhe një problem për situatën e gazetarit në Shqipëri”, - tha ai. Kreu i Unionit të Gazetarëve pohon madje se mund të ketë zgjidhje, por se kjo zgjidhje nuk mund të vijë nga situata e grupeve të interesit që janë aktualisht në Shqipëri.

Ky lajm është publikuar: 24/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›