PS: Meta deputet nga votat e manipuluara
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste reagon pas thirrjeve të vazhdueshme të Lëvizjes Socialiste për Integrim për futjen e saj në Kuvend. “Ilir Meta duket se qenka frikësuar shumë, nga e vërteta që hapja e kutive do të zbardhë për mandatin e tij në Tiranë. Por, të vërtetës as nuk mund ti fshihesh dhe as nuk mund ti shpëtosh me kërcënime apo diversion. E vërteta ka dalë në shesh, Ilir Meta i trembet hapjes së kutive pasi ai ka frikë se zbardhja e të vërtetës së 28 qershorit, do të nxjerr në pah faktin se mandati i Ilir Metës në Tiranë, është mandat i vjedhur nga Partia Socialiste. Kjo është e vërteta, ky është pazari i ulët i Ilir Metës dhe Sali Berishës”, - tha dje zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj. Po dje LSI i bëri thirrje Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama të anulojë vendimin e bojkotit ndaj Parlamentit dhe të futet në Kuvend. Zyrtari i LSI-së Luan Rama, ish-deputet i Partisë Socialiste tha se Partia Socialiste duhet të distancohet nga kërcënimet me protesta. “E ftojmë Partinë Socialiste të jetë e pranishme në Kuvend dhe të distancohet nga kërcënimet”,- tha Luan Rama, duke shtuar se dialogu politik është kusht themelor i demokracisë. Sipas Ramës, i cili foli në emër të LSI-së, Partia Socialiste duhet të ofrojë dialog dhe bashkëpunim politik si një kusht themelor për realizimin e reformave që kërkon integrimi i vendit në Bashkimi Evropian. “I bëjmë edhe njëherë apel Partisë Socialiste të dialogojë sepse dialogu është kontribut dhe përgjegjësi për reformat e nevojshme të vendit në rrugën drejt BE-së”, - tha më tej zyrtari i LSI, Luan Rama. Ai shtoi se dialogu politik është element i sjelljes evropiane të politikës.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010