Përmbytjet PS: KESH nuk iu bind në kohë urdhrave
Autori i Lajmit: RedaksiaDrejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku nuk ka zbatuar në kohë urdhrat e ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti. Kjo për faktin e thjeshtë se ato nuk ishin shkresa zyrtare, por sms të dërguara në telefon. Këto të dhëna të reja janë përdorur dje nga Partia Socialiste si një tjetër kartë akuzuese për qeverinë Berisha. Sipas deputetes së PS-së, Mimi Kodheli, ministri Prifti edhe më 7 janar, kur Shkodra ishte e përmbytur, nuk ishte në krye të detyrës, por jashtë vendit dhe dërgonte urdhra me sms. Kjo, sipas saj, vërteton më së miri përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të tij, por dhe të Qeverisë në përmbytjet e ndodhura në veri të vendit.
Shkresa
“Është bërë publike një tjetër shkresë, që vërteton edhe një herë se katastrofa që përmbyti qindra familje shkodrane, që zhyti nën ujë mijëra hektarë tokë, që krijoi dëme të pallogaritshme në banesa, të mbjella, gjë të gjallë, nuk ishte një katastrofë natyrore, por ishte kryekëput një përmbytje e shkaktuar nga papërgjegjshmëria, paaftësia dhe korrupsioni i qeverisë Berisha. E vërteta vonon, por nuk harron”, - tha dje deputetja socialiste, Kodheli. Sipas saj, në datën 7 janar, drejtori i përgjithshëm i KESH, përmes një letre zyrtare me numër protokolli 89, i kërkon ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, që urdhrat dhe masat e dhëna nga kjo ministri të bëheshin tashmë në rrugë zyrtare dhe jo më përmes telefonit apo sms-ve, në mënyrë që këto urdhra të ishin të zbatueshme. Kjo letër, sipas Kodhelit, vërteton turpin e madh të kësaj qeverie. “Në kulmin e emergjencës, teksa uji vërshonte nga digat duke përmbytur dhe përparuar gjithmonë e më shumë në zonën e Shkodrës, qeveria shqiptare jo vetëm ishte e vonuar në masat e marra, por ishte dhe në kundërshtim me ligjin në urdhrat që lëshonte. Shkodra u përmbyt pasi kjo qeveri nuk zbatoi ligjin dhe nuk zbatoi rregulloren. Përmbytja, sikundër kemi provuar ditë pas dite, ishte plotësisht e shmangshme. Prurjet nuk ishin nga ato që vinin një herë në 100 vjet, siç pretendon Berisha, por prurje normale, të cilat ndodhin çdo dy vjet. Reshjet dhe temperaturat e motit, ishin lehtësisht të parashikueshme, të paktën një javë përpara se të ndodhte katastrofa”, - shton ajo.
Braktisja e detyrës
Ligjvënësja socialiste akuzon Priftin si përgjegjësin për përmbytjet duke pohuar se në kulmin e emergjencës braktisi detyrën, për të festuar gjetkë. Sipas saj, gjatë periudhës së tmerrit për shkodranët, kaosi mbretëronte në strukturat përgjegjëse për menaxhimin e situatës. “Rregullore të shkelura dhe urdhra të lëshuara në kundërshtim me ligjin dhe jo në rrugë zyrtare. Një shtet i tërë që funksionon me sms, edhe në raste krizash, dhe në raste emergjencash. E vërteta vonon, por nuk harron! Sot për shqiptarët, është zbardhur një tjetër e vërtetë që tregon arsyet e përmbytjes së Shkodrës. Nuk ishte batica, nuk ishte hëna, nuk ishin shirat, nuk ishin prurjet. Ishte paaftësia. Ishte papërgjegjshmëria. Ishte moszbatimi i ligjit. Ishte moszbatimi i rregullores”, - përfundon Kodheli. Por ndërkohë që akuzat e socialistëve përsëriten përditë, duket se bashkëpunimi mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike është koordinuar aq mirë sa të mos mbeten hapësira për fajësime. Edhe dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha është shprehur i kënaqur me punën e bërë nga ministrat e LSI-së. Në seancën e 18 janarit, demokratët nëpërmjet deklaratave të njëpasnjëshme pohuan se faji i përmbytjeve ishte për shkaqe natyrore, ndërkohë që theksuan fort suksesin e Qeverisë që nuk la të mbyteshin njerëz.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010