E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllja e Temës, Financat kundër Bazes

Autori i Lajmit: Redaksia
Ministria e Financave kundërshton deklaratat e botuesit të gazetës TemA, Mero Baze, se u detyrua të mbyllte gazetën për shkak të kontrolleve selektive financiare. Sipas kësaj ministrie, kompania Media Enter nuk është kontrolluar nga organet tatimore prej 5 vjetësh, çka rrëzon pretendimet e Bazes. Ministria e Financave rendit dhe shkeljet e bëra nga kompania, ndërsa pohon se sipas dokumentacionit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ky subjekt ka ndërruar pronar në vitin 2005, por ndërkohë nuk janë shlyer detyrimet që lindin nga transaksioni i shitjes. Botuesi i gazetës TemA informoi dy ditë më parë se dje ishte numri i fundit në treg i këtij subjekti mediatik. Vendimi i Bazes erdhi menjëherë pas një konflikti fizik mes tij dhe kolegut Enkel Demi. Kritikat e përditshme të gazetës “TemA” ndaj deputetëve demokratë, mes të cilëve dhe Mesila Dodës, gruas së Enkel Demit, duket se kanë qenë shkaku i këtij debati që ka përfunduar dhe në përballje fizike mes tyre.
Financat
“Në lidhje me pretendimin e z. Mero Baze për mbyllje të gazetës “TemA” për shkak të kontrolleve selektive financiare dhe presionet që nisin nga bilancet e gazetës prej vitit 2004, Ministria e Financave sqaron se nga informacionet që rezultuan pas verifikimeve që Ministria bëri, z. Mero Baze, ka qenë në kontakt me organet fiskale në dy raste”, - sqaron zyrtarisht Ministria e Financave, ndërsa jep detaje shtesë mbi veprimtarinë e kësaj kompanie. “Së pari, si rezultat i kontrollit që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në muajin dhjetor 2009, ka programuar dhe filluar në kompaninë Media Enter, me ortak të vetëm dhe administrator z. Besnik Sula, ky kontroll ka ardhur për shkak se në bazë të analizës së riskut kjo kompani prej kohësh ka mungesa në deklarimet periodike të veprimtarisë së saj, përfshi dhe mosdorëzimin e bilancit financiar të vitit 2008. Si rrjedhojë kjo kompani ka detyrime tatimore të papaguara, deklaron Ministria e Financave. Ajo bën të ditur se kompania në 5 vitet e fundit, nuk është kontrolluar asnjëherë në organet tatimore, çka rrëzon pretendimin e Mero Bazes për kontrolle selektive, nëse i referohet këtij rasti. Sipas dokumentacionit të QKR-së, kjo kompani, ka ndërruar pronarë(regjistrimi i fundit i ndryshimit të pronësisë i përket muajit nëntor 2005) dhe megjithatë në asnjë rast nuk është bërë pagimi i detyrimeve që lind nga transaksioni i shitjes së kompanisë. Dikasteri i Financave njoftoi se kontrolli tatimor është në proces dhe akoma nuk është konkluduar për rezultatet e këtij kontrolli, të cilat tha se do ti bëjë të njohura në përputhje me legjislacionin. Së dyti, thotë Ministria e Financave, shoqëria Media Soft Albania, që sipas dokumentacionit të QKR-së rezulton të jetë regjistruar në nëntor të vitit 2005, në pronësi të Festim Bajramit, dhe administrator Mero Bazes, ka kryer veprime zhdoganimi të një shtypshkronje në vitin 2006, dhe nuk ka shlyer detyrimet doganore edhe pas afatit ligjor për pagimin e këtij detyrimi në shumën 4,821,250 lekë, dhe aktualisht ka akoma të papaguar shumën prej 3,321,250 lekë pa përfshirë kamatëvonesat, për të cilat kanë filluar procedurat e nxjerrjes me forcë të detyrimeve doganore, në përputhje me aktet ligjore. Vetëm në këto dy raste, Ministria e Financave e sheh Mero Bazen të përfshirë në kontrolle të organeve fiskale, por duket qartë se në asnjërin prej tyre këto organe nuk janë në pozita selektive dhe tendencioze, por përkundrazi kanë treguar tolerancë të pajustifikueshme në zbatimin e ligjshmërisë.

Sherr mes Bazes e Demit

Dy gazetarë të njohur në Shqipëri, Mero Baze dhe Enkel Demi kanë bërë një debat mes tyre në “City Park”, në një nga qendrat tregtare më të reja e më të mëdha në periferi të kryeqytetit, në afërsi të Vorës. Ky debat ka përfunduar në dhunë fizike, ku mësohet se, drejtuesi i emisionit Faktori Plus, Mero Baze, është qëlluar me grusht në fytyrë nga gazetari i TV Klan, Enkel Demi. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur parmbrëmë, rreth orës 21:00, kur Baze dhe Demi janë shkëmbyer në këtë qendër tregtare. Enkel Demi ka qenë i shoqëruar me bashkëshorten e tij, Mesila Doda, e cila aktualisht është edhe deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Përballja e dy gazetarëve, duket se i ka kujtuar Demit shkrimet kritike të Bazes në media, ndaj gruas së tij. Kaq ka mjaftuar, sa dy gazetarët të shkëmbejnë fjalë mes tyre dhe Demi ka humbur gjakftohtësinë dhe e ka goditur Bazen në fytyrë. Në këtë moment dëshmitarët që kanë parë ngjarjen kanë pohuar se ka qenë pikërisht Mesila Doda, bashkëshortja e Demit që ka ndërhyrë për ti ndarë.

Ky lajm është publikuar: 24/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›