E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e PS-së, si do të nxiten qytetarët për të aplikuar për karta identiteti



Shaban Sulçe
Partia Socialiste do të vërë në zbatim planin e saj për fushatën sensibilizuese për nxitjen e qytetarëve shqiptarë pa pasaportë, për të aplikuar për pajisjen me karta identiteti. Selia rozë ka hartuar një strategji, në të cilën do të synohet nxitja për aplikim jo vetëm të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, por të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk kanë pasaportë në posedim. Burime nga Partia Socialiste bën të ditur se kjo strategji synon që çdo votues pa pasaportë të pajiset në kohë me kartë identiteti, në mënyrë që askujt të mos i mohet e drejta për votim në zgjedhjet e 28 qershorit. Dje ka ardhur thirrja e parë zyrtare e Partisë Socialiste në drejtim të qytetarëve shqiptarë për t’u pajisur me karta identiteti, edhe në kushtet kur ajo do të kushtojë 200 lekë. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të aplikojnë për kartë identiteti, për të larguar përfundimisht më 28 qershor Sali Berishën nga drejtimi i vendit.

Strategjia

Sipas burimeve në Partinë Socialiste, strategjia për nxitjen e qytetarëve për aplikim përmban një fushatë të gjerë sensibilizimi. Kjo fushatë do të shoqërohet me deklarata të njëpasnjëshme dhe të përditshme në media nga zyrtarët e lartë dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët do ti bëjnë thirrje qytetarëve për të aplikuar për kartë identiteti. Por, strategjia e selisë rozë pritet të konkretizohet edhe në terren. Selia qendrore e Partisë Socialiste u ka dërguar një udhëzim të gjitha degëve të saj në rrethe që të evidentojnë të gjithë anëtarët e saj, të cilët nuk kanë pasaporta në zotërim. Në udhëzim kërkohet që anëtarët e PS-së në rrethe të kryejnë sa më shpejt aplikimin në mënyrë që të jenë të pajisur me karta identitetit në datën e zgjedhjeve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata persona që njihen si mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Socialiste. Ndërkohë, thirrjet për aplikim në drejtim të të gjithë qytetarëve, pa përjashtim, do të bëhen edhe nga të gjithë drejtuesit e PS-së në rrethe.

Islami
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste tha se nuk është PS-ja ajo që ka vendosur për çmimin e kartave të identitetit. Islami u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të aplikojnë në mënyrë që më 28 qershor ta largojnë Sali Berishën nga pushteti. Ai deklaroi se qeveria e re që do të krijohet pas zgjedhjeve, me kryeministër Edi Ramën do të rimbursojë çmimin që do t’u duhet shqiptarëve për të paguar për kartën e identitetit. “Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave i përket tërësisht qeverisë ‘Berisha’. Ne nuk jemi autorë të tij. Ne mbështesim zbatimin e tij “in ekstremis”, por jo filozofinë e këtij vendimi. Qëndrimi i PS-së mbetet i njëjtë përsa i përket moralit dhe filozofisë së kësaj takse, ndonëse ajo është vetëm 200 lekë. PS-ja është në parim kundër kësaj takse, pavarësisht vlerës së saj. Për ne çdo shtetas duhet të realizojë të drejtën e votës pa u taksuar nga qeveria. E drejta e shprehjes së votës duhet të jetë e lirë.
Berisha me vendosjen e kësaj takse ka prekur rëndë të drejtën kushtetuese. Sakrifica juaj me pagesën e përkohshme të kësaj takse prej 200 lekësh do të shërbejë për të hedhur në koshin e historisë përfundimisht edhe taksën edhe Berishën. Edhe një herë ju bëj thirrje të gjithëve: Blini kartën për 200 lekë! Bëjeni këtë sakrificë sepse më 29 qershor 2009 qeveria e re me Edi Ramën kryeministër do t’jua kthejë këtë 200 lekësh”, - tha Islami.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›