Pas protestave për Karamanlisin, çamët nënshkruajnë marrëveshje elektorale me Berishën
Partia e çamëve, PDI-ja, ka nënshkruar dje marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Vetëm pak ditë më parë komuniteti çam protestoi për vizitën e kryeministrit grek në Shqipëri, Kostas Karamanlis, i cili kishte refuzuar takimin me ta. Ky komunitet u shpreh kundër qëndrimit të qeverisë shqiptare për mosngritjen e çështjes çame në diskutimin me kryeministrin grek. Ndërsa dje, kryetari i PDI-së, e cila është partia që përfaqëson interesat e komunitetit çam në Shqipëri, firmosi marrëveshje bashkëpunimi elektoral me kryeministrin Berisha. Kryeministri Berisha, gjatë konferencës së përbashkët me Karamanlisin, u shpreh se midis dy vendeve nuk ekziston asnjë çështje e mbetur pezull apo e pambyllur. Ndërsa dje, pas firmosjes së bashkëpunimit elektoral me PDI-në, Berisha tha se PD-ja do të luftojë gjithmonë për të drejtat e komunitetit çam. “PD-ja ka mbrojtur çështjen e tyre, e mbron dhe do ta mbrojë si një çështje të drejtë. Ka sanksionuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit me vendin fqinj, në të cilin çamët, për ata që i thonë miqësisë miqësi, kanë kontributin më të madh historik që nga 1828-a deri në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë shembullore në luftën për lirinë e vendit ku jetonin, për dinjitetin e tyre. Heronj të shumtë të revolucionit grek janë me origjinë nga shqiptarët e Çamërisë. Ne e firmosim këtë marrëveshje sot, për të fituar zgjedhjet, për të qeverisur së bashku dhe për të çuar përpara zgjidhjen e problemeve të këtij komuniteti, të bindur se tek Sali Berisha kanë pasur dhe do të kenë një avokat të së drejtës së tyre, por te integrimi evropian, do të kenë edhe zgjidhjen dhe përgjigjen më të mire për një seri problemesh”, - është shprehur Berisha.
Po gjatë ditës së djeshme Berisha firmosi marrëveshje me kryetarin e Partisë Lëvizja për Legalitet, Ekrem Spahia, dhe me kryetarin e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi.
Numri dy i KE-së, Barrot: “Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për në BE”
Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Barrot, u shpreh dje, pas takimit me kryeministrin Berisha, se nuk mund të japë një datë të saktë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke shtuar se vendi ynë duhet të plotësojë pesë kushte për t’u anëtarësuar në BE. Sipas Zhak Barrotit, kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria që të anëtarësohet në BE janë: lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër emigracionit klandestin, pavarësia e Gjyqësorit dhe duhet të ketë një sistem shumë të mirë sigurie për lëvizjen e lirë. Barrot u shpreh gjithashtu se Shqipëria ka bërë arritje të mëdha në të pesta këto fusha, por duhet ende përpjekje dhe punë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Barrot, vjen në Shqipëri vetëm pas tri ditësh që vendi ynë aplikoi për statusin e vendit kandidat në BE.
2 Maj 2009