E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër Ndokës

I shkarkuari Pashk Ujka mbledh demokristianët. Ta pastrojme partine ose te krijojme nje levizje tjeter

Tashmë Partia Demokristiane duket se do t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale tjetër, pas largimit të Nikollë Lesit dhe krijimit të një lëvizjeje tjetër. Kryetari i shkarkuar nga grupi parlamentar i PDK-së, Pashk Ujka, thotë për “Korrierin”, se po planifikon që të mbledhë të gjithë kristiandemokratët në një lëvizje tjetër. “Do të mbledh të gjithë kristiandemokratët e lënë jashtë përfaqësimit në një lëvizje të vetme”, ka thënë deputeti Ujka për “Korrierin”. Ai thotë se kryetari i deklaruar, Ndue Shpani, nuk është akoma i tillë, “sepse i duhen 7 vota që të zgjidhet kryetar grupi”. Deklarata e dy netëve më parë në Parlament e deputetit demokristian Pashk Ujka dhe kritikat e tij publike ndaj kryetarit të PDK-së i kanë kushtuar shtrenjtë këtij të fundit. Nga dita e djeshme, ai nuk figuron të jetë më kryetar i grupit parlamentar demokristian, pasi tashmë në vend të tij është emëruar me 6 vota pro deputeti tjetër Ndue Shpani, i njohur si një nga mbështetësit e kreut Nard Ndoka. Në seancën  dy netëve më parë, ndërsa diskutohej për ndryshimet kushtetuese, deputeti demokristian Ujka doli para Parlamentit dhe kundërshtoi hapur diskutimet që po bëheshin mes aleatëve dhe kryeministrit. Ndërkohë, një ditë më vonë, ai shkarkohet nga kreu i grupit parlamentar demokristian, duke krijuar kështu një konfuzion lidhur me dorëheqjen e tij, për të cilën ai thotë se nuk ishte në dijeni. Pasi është njohur me vendimin për shkarkimin e tij dhe emërimin e deputetit tjetër, ish-kryetari Ujka doli para mediave duke thënë se, “nëse ka vendim grupi, atëherë ata duhet të më kishin vënë në dijeni”. Sipas deputetit Ujka, ai është shkarkuar dhe nuk ka dhënë dorëheqjen. Ish-kreu i grupit parlamentar, Pashk Ujka, njihej si kundërshtar i kryetarit Nard Ndoka, dhe për këtë ai ka shprehur disa herë në media edhe kundërshtimet e tij ndaj kreut të partisë. Kjo luftë tashmë duket se ka përfunduar me largimin nga kreu i grupit parlamentar të Ujkës, i cili nuk dihet nëse do të qëndrojë pjesë e grupit parlamentar të PDK-së apo do të bashkohet me ndonjë lëvizje tjetër. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›