Kundërpërgjegje nga Uran Ymeri: Nuk zgjidhet problemi me dorëheqjen time
.jpg)
Shkup, 29 janar – Ndihmëstrajneri i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, Uran Ymeri thotë se nuk do të zgjidhet problemi i përfshirjes së futbollistëve shqiptarë me dorëheqjen e tij, dhe kush do tjetër që do të emërohet në postin e ndihmëstrajnerit nuk do të mund ta zgjidhë këtë
cështje.
"Është lehtë të më sulmojnë mua. Nuk ka problem nëse mendojnë se me dorëheqjen time zgjidhet ky problem, unë menjëherë do të largohem. Por mendoj se këtu nuk qëndron shkaku i mospërfshirjes së lojtarëve shqiptarë. Dhe po ju them se kush do të që do të vijë në këtë detyrë nuk mund ta zgjidhë problemin", është shprehur ndihmëstrajneri Uran Ymeri.
Ai thotë se ka idenë se si të zgjidhet problemi i përfshirjes së futbollistëve shqiptarë në përfaqësuesen e Maqedonisë.
"Ekzistojnë tri variante. Varianti i parë është ky: Nëse nuk e përziejmë politikën, atëherë presim që pas dy-tre vitesh seleksionuesi të jetë shqiptar dhe atëherë do të ftohen shqiptarët. E dyta: Nëse e përziejmë politikën (Marrëveshja e Ohrit), atëherë nga 18 lojtarë të ftuar, 5 duhet të jenë shqiptarë dhe e treta: Maqedonia të ketë dy seleksionues, shqiptarë dhe maqedonas. Një kohë edhe Suedia ka pasur dy selektor të reprezentacionit të saj", ka vazhduar Ymeri.
Ai gjithashtu thotë se nuk mund t'i bëjë presion Katanecit, kur ai tani për tani ka rezultate, ndërsa në momentin kur atij i mungojnë sukseset, atëherë, do të reagojë.
"Unë i propozoj lojtarë dhe atë më të mirët që janë te shqiptarët, por ndoshta Katanecit nuk po i pëlqejnë. Ai po thotë se ka rezultate dhe deri sa të jetë kështu do të presim. Po që se në të ardhmen nuk ka suksese, menjëherë do të reagoj për të marrë shqiptarë në reprezentacion", tha në fund ndihmëstrajneri i Maqedonisë, Uran Ymeri, i cili disponon me pro-licencë të UEFA-s dhe mund të punoj si trajner në 52 vende të Evropës.
Reshat Ibrahimi