Oferta të reja për Ismailin

Shkup, 29 janar – Menaxheri i skuadrës Makedonija Gjorce Petrov, Arse Andovski i ka thënë për Albania-Sport se janë shumë pak gjasat që Ismail Ismaili të kalojë në radhët e skuadrës rumune Vaslui. Ndërkohë sipas tij brenda këtyre dy-tre ditëve në adresë të tyre kanë ardhur oferta të reja për mesfushorin Ismaili.
"Tani ka oferta nga tre vende. Janë gjermanët, austriakët dhe kroatët që interesohen për shërbimet e futbollistit tonë, dhe deri në fund të këtij muaji dicka do të kristalizohet. Shpresojmë se më në fund Ismaili do të luajë jashtë Maqedonisë, në ndonjë ekip nga këto tre shtet që i përmenda", është shprehur menaxheri i "Luanëve" nga Shkupi, Andovski. Ndërsa sa i përket futbollistit tjetër shqiptar të kësaj skuadre Artim Pollozhani, Arse Andovski ka pohuar se për struganin ka mbetur të shihet pasi të udhëtojnë në Antalia të Turqisë.
"Kur të shkojmë në përgatitje do të kemi mundësi më të mëdha për ta transferuar Artimin në ndonjë skuadër të huaj. Është shkruar se për Pollozhanin janë interesuar rusët, por nuk është vetëm një ekip nga ky kampionat, sepse janë edhe disa skuadra të tjera. Por nuk dua prej përpara të flas. Pasi të kryhet puna do të njoftojmë", ka thënë Andovski. Pas tranferimit të sulmuesit Ivanovski në Grosclin të Polonisë, radha është që më në fund të gjenden transferet e reja edhe për dy futbollistët shqiptarë, të cilët janë më të mirët në skuadrën shkupjane
Reshat Ibrahimi