E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ligji i dosjeve është një pjesë e institucionit të pendesës dhe e rikuperimit të ndërgjegjes”

Jozefina Topalli, evidenton sjelljen johakmarrëse të të përndjekurve e persekutuarve politikë, si edhe ët familjarëve të tyre

Gjatë vizitës së saj në Katedralen e Shkodrës, me rastin e Krishtlindjes, Kryetarja e Kuvendit e rrethuar me përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare, shumë prej të cilëve vuajtën mbi supet e tyre përndjekjet më çnjerëzore të regjimit komunist, foli edhe mbi çështjen e rikuperimit të ndërgjegjes shoqërore për vitet e diktaturës më të egër komuniste. Në këtë qytet jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje dhe në  këtë ditë kur njerëzit ndihen më afër Zotit, Kryetarja e Kuvendit u shpreh, se asnjë i përndjekur politik, nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon hakmarrje, ndërsa sipas saj ka munguar shprehja e pendesës, nga autorët e përndjekjeve politike.
“Mendoj se është diçka më e madhe, është problem i ndërgjegjes shoqërore. Unë nuk jam as psikologe as kam studiuar për filozofi. Nuk di sa thellë në ndërgjegjen e kombit e kemi pendesën. Unë do të doja shumë të besoja që ky komb e ka pendesën si proces në ndërgjegjen e tij. Besoj kemi kaluar vitet më të tmerrshme, më çnjerëzore në historinë e kombit tonë dhe kanë kaluar 20 vjet dhe unë s’kam dëgjuar ende njeri të kërkojë të falur. Po në të njëjtën kohë unë s’kam parë kurrë dhe as kam dëgjuar ndonjëherë se një i burgosur, i internuar apo një fëmijë e një të pushkatuari të ketë kërkuar hakmarrje. Kjo e dyta është vlerë për kombin tonë por ne duhet të injektojmë edhe pendesën si shprehje e civilizimit. Të kërkosh të falur për krimet gjysmë shekullore nuk është ç’burrëri ajo është forcë është kurajë është guxim për t’u përballur me ndërgjegjen personale”, u shpreh Topalli.
Duke ju rikthyer komenteve për ligjin e dosjeve, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli shtoi më tej se, “në këtë aspekt besoj se ligji që miratuam së fundmi është vetëm një pjesë e një procesi të madh, e një institucioni të pendesës dhe e rikuperimit të ndërgjegjes për shoqërinë shqiptare. Unë shpresoj që shoqëria shqiptare do të fillojë të përpunojë institucionin e pendesës”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›