Kundërshtojnë zgjedhjen e Messit

Befasi dhe zhgënjim. Këto janë ndjenjat që i karakterizojnë reagimet e para të shtypit spanjoll, pasi morën vesh lajmin që Lionel Messi është fitues i çmimit ‘FIFA Topi i Artë’.
“Messi e la Spanjën pa ‘Top të Artë’, ishte titulli i të përditshmes sportive Marca. “Argjentinasi pengoi që një spanjoll ta marrë këtë premi për herë të dytë”, vazhdon tekstin Marca. – “Luis Suarez mbetet pa pasardhës”, vazhdon e përditshmja spanjolle, duke iu referuar fituesit të vetëm spanjoll të këtij trofeu në vitin 1960.
“Messi, Top i Artë”, ishte titulli i të përditshmes tjetër spanjolle As, e cila nënvizon se ‘argjentinasi është shpërblyer befasisht me këtë çmim’.
Gjatë vitit 2010, Messi e ka fituar La Ligan dhe Superkupën e Spanjës. Edhe pse për muaj të tërë qarkullonin zëra se fitues do të jetë Iniesta, në fund 154 gazetarë, 208 selektorë dhe 208 kapitenë të kombëtareve, që e formojnë jurinë e FIFA-s, e kanë zgjedhur argjentinasin përpara dy shokëve të tij të skuadrës, Iniesta e Xavi.
‘El Mundo Deportivo’, e përditshme katalunase, e cila është e afërt me Barcelonën, ka qenë më pak kritike. “Messi është ‘Topi i Artë’ i tetë Azulgrana dhe i shtati i Barcelonës që e merr këtë çmim. Ai e mori këtë trofe për herë të dytë, njëjtë si Cruijff”, shkruan kjo e përditshme, e cila kujton se deri tash vetëm Juventus ia kishte dalë t’i koleksionojë 8 ‘Topa të Artë’.
Gjithashtu, të përditshmet madrilene As e Marca e kanë quajtur skandaloz edhe injorimin e FIFA-s për triumfin në Botërorin e Afrikës së Jugut nga ana e Vincent del Bosques, i cili përfundoi i dyti, pas Jose Mourinhos, në kategorinë e trajnerëve.
Sidoqoftë, në Kataluni e festojnë edicionin 2010 të ‘Topit të Artë’, i cili në rrethin e ngushtë përmbante tre futbollistë të Barcelonës, Messi, Iniesta e Xavi.
Cristiano Ronaldo, i cili shihet si njëri prej lojtarëve më të mirë në botë të momentit, bashkë me Lionel Messi, ka thënë se ‘Topin e Artë’ e meritonte dikush tjetër. “Mendoj se këtë radhë e meritoi Xavi”, theksoi ylli portugez, i cili hyri në ekipin më të mirë të vitit.
Pas ndarjes së shpërblimeve, ka pasur diskutime të shumta. Disa njohës të futbollit e kundërshtonin zgjedhjen e Messi, por kishte prej tyre që e përkrahnin yllin argjentinas.
Premierliga e zhgënjyer
Premierliga ka mbetur e zhgënjyer të hënën mbrëma, pasi që asnjë futbollist nga kampionati anglez nuk është përfshirë në ekipin e vitit, të cilin e ka bërë publik FIFA në gala mbrëmjen e mbajtur në Zurich.
11-shi më i mirë është votuar nga 40 mijë futbollistë profesionistë, trajnerë dhe gazetarë nga mbarë bota. “Për herë të parë është injoruar futbolli anglez dhe yjet që luajnë aty. Ky është një rezultat shokues për futbollin anglez, pasi që sezonin e kaluar 5 futbollistë të Premierligës ishin pjesë e ekipit të vitit”, ankohet shtëpia e futbollit anglez.
Kampioni i Spanjës, Barcelona, dhe ai evropian, Inter, kanë dominuar në Best 11 (ekipin e vitit) me 9 futbollistë së bashku.