E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Anglise kualifikohen Mancester J e Arsenal

“Teatri i Ëndrrave” ishte gati për një tjetër spektakël. Për Kupën e Anglisë, Mançester Junajtid luajti dhe fitoi 1-0 në fushën e tij ndaj londinezëve të Uest Hemit dhe kjo falë një goli të shënuar nga Uejn Runi që në minutat e para.
Skuadra e Sër Aleks Fergusonit vazhdoi presionin dhe mbi 71 000 tifozët në stadium u kënaqën pavarësisht thatësirës së golave.
Veçse, edhe miqtë krijuan rreziqe në portën e “djajve të kuq”, të cilët patën pretendime edhe për një 11-metërsh.
Një penallti u dha, por në krahun tjetër, për Junajtid dhe gjuajtjen e humbi Uejn Runi. Sulmuesi mbeti keq pas gabimit, por e rëndësishme për të ishte që ndeshja u fitua.
Në ndeshjen tjetër për Kupën e Anglisë, Arsenal fitoi 1-0 në fushën e vet ndaj uellsianëve të Suonsit. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Xhek Uilsher, ndërsa “topçinjtë” patën epërsi të plotë.
Në turin e pestë, Junajtid do të luajë në fushën e tij ndaj Fulhamit, ndërsa Arsenal do të udhëtojë në stadiumin e skuadrës modeste, Brajton.
Fitues në fuqi i Kupës së Anglisë është Çelsi, ndërsa në kampionat kryeson i sigurt Mançester Junajtid.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›