E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferime nga disa burgje për popullimin e burgut të Fushë-Krujës

Prej disa ditësh ka nisur popullimi i burgut më të ri në vend, atij të Fushë-Krujës. Dita-ditës kanë filluar të mbushen qelitë e kampit të vuajtjes së dënimit dhe paraburgimit. Të dënuarit apo të pandehurit nën hetim apo gjykim janë duke liruar ambientet e dy paraburgimeve të kryeqytetit, përkatësisht 313 e 302, duke u sistemuar në atë të burgut të Fushë-Krujës. Burime zyrtare nga burgjet bëjnë të ditur se ka më shumë se një javë, qysh prej ditës së inaugurimit, më 7 qershor, që makinat e burgjeve kanë nisur transferimin e të paraburgosurve drejt Peqinit dhe të dënuarve të këtij të fundit për në seksionin e të dënuarve me burgime të rënda të Fushë-Krujës. Ndërkohë që nuk janë vetëm disa nga të dënuarit e burgut të sigurisë së lartë të Peqinit që janë transferuar në Fushë-Krujë, por se ka disa ditë që ky burg po popullohet edhe nga të dënuarit e katër burgjeve të kryeqytetit, si dhe nga ai i Rrogozhinës, Burrelit dhe Lushnjes. Një nga të dënuarit që po shijon qelitë e reja të këtij burgu është edhe Petrit Lleshi, i njohur si një nga anëtarët e grupit të Niklës. Lleshin pritet ta shoqërojnë në ditët e ardhshme të dënuar të tjerë, edhe këta të dënuar për krime të rënda. Burgu i ri i Fushë-Krujës u inaugurua më 7 qershor të këtij viti dhe menjëherë nisi edhe popullimi i tij nga të dënuarit e burgjeve të ndryshme. Hapja e këtij burgu sjell një ulje të mbipopullimit në burgje, pasi një pjesë e mirë e të dënuarve janë transferuar nga disa burgje të tjera drejt ambienteve të reja të Fushë-Krujës. Transferimet kanë filluar nga burgu i Burrelit, i cili është në rikonstruksion e sipër, Rrogozhinës, Lushnjes dhe paraburgimet e Tiranës. Sipas burimeve nga burgjet, së shpejti fillon transferimi i të dënuarve edhe nga burgu i Peqinit, fillimisht me të dënuar me dënime të ulëta dhe më pas edhe ata të seksionit të dënimeve të rënda. Vënia në funksionim e tij pritet të zgjidhë deri në njëfarë mase problemin e mbipopullimit në burgje, që është një ndër fenomenet më shqetësuese të momentit. Burgu i ri ka një kapacitet prej afro 300 personash, dhe ka seksione të sigurisë së lartë dhe të zakonshme. Burgu i Fushë-Krujës është një burg me parametra të larta sigurie, si dhe plotëson kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët. Mbipopullimi është një nga shqetësimet kryesore në burgjet shqiptare, por me vënien në funksionim të ambienteve të reja të vuajtjes së dënimit, situata pritet të përmirësohet dukshëm.

Somario

Vënia në funksionim e tij pritet të zgjidhë deri në njëfarë mase problemin e mbipopullimit në burgje, që është një ndër fenomenet më shqetësuese të momentit

Detaj

7 qershor u bë inaugurimi i burgut më të ri, atij të Fushë-Krujës, që do të ulë ndjeshëm mbipopullimin në burgje

300 të dënuar është kapaciteti i burgut të ri, i përbërë nga dy seksione, siguri e lartë dhe e zakonshme

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›