E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa mbetet nëkryeqytet, Tiranae Dinamo në finale

TIRANE- Tirana-Dinamo do të jetë finalja e këtij sezoni e Kupës së Shqipërisë. Dy skuadrat e kryeqytetit kanë mundur të kualifikohen ndaj rivaleve të tyre, respektivisht Besa dhe Vllaznia, duke shkuar shumë pranë fitimit të trofeut të dytë për nga rëndësia në vend. Takimet e sotme kanë dhuruar momente emocionuese, shpirt gare dhe dramë, ndërkohë që në fund, diferenca është bërë nga gabimet. Në Kavajë, Besa ka gabuar shumë përballë bardhebluve dhe në fund e ka pësuar nga goli i Bekim Balës. Të njëjtën gjë bëri edhe Vllaznia, që nuk mundi të shënonte dot një gol ndaj një Dinamoje jo në formën e saj më të mirë. Bluve të drejtuar nga Artan Mërgjyshi u mjaftoi një gol i Mlladen Bërkiç për të siguruar finalen dhe për të qenë më pranë fitimit të një trofeu, në sezon më shumë se zhgënjyes për ta.
Besa-Tirana
Në Kavajë është zhvilluar një sfidë spektakolare, me dy skuadra që kanë dhuruar një futboll të bukur për t’u parë dhe që kanë treguar një shpirt të lartë gare. Kavajasit për hir të së vërtetës kanë qenë dominues dhe mund të kishin bërë surprizën, por humbja 1-0 në ndeshjen e parë ka qenë jo pak e vështirë për t’u përmbysur. Në pjesën e parë, pas një seri rastesh të mira, ishte braziliani Dos Santos ai që shënoi në minutën e 23-të për Besën, pas një mosmarrëveshjeje mes Sinës dhe portierit Lika. Edhe në fraksionin e dytë, Besa ka qenë më mirë në fushën e lojës, por ajo ka paguar rastet e humbura. E kur pritej një dyfishim i rezultatit nga kavajasit, kanë qenë bardheblutë ata që kanë realizuar. Pas një aksioni pa shumë pretendime, Bekim Bala arrin të shënojë golin më deciziv me fanelën e Tiranës, duke e bërë gjithçka të pamundur për vendasit e drejtuar nga Gerd Haxhiu. Besës i janë dashur dy gola për t’u kualifikuar, një mision aspak i lehtë përballë Tiranës. Kështu, deri në fund shifrat nuk kanë ndryshuar dhe ekipi kryeqytetas siguroi finalen.
Dinamo-Vllaznia
Goli i Martinenës në minutën e 87-të të ndeshjes së parë, ka rezultuar tepër deciziv për Dinamon, që sot ka fituar 1-0 përballë Vllaznisë dhe është kualifikuar për në finale të Kupës së Shqipërisë. Blutë nuk kanë treguar ndonjë nivel të lartë loje, por kanë shfrytëzuar dobësitë e kundërshtarit dhe sidomos yjet që kanë në ekip. Goli deciziv i takimit u shënua në minutën e 20-të të pjesës së parë me autor Mlladen Bërkiç. Pas një aksioni të Martinenës nga e majta, topi i futur në qendër të zonës gjeti të lirë sulmuesin serb, që e dërgoi qetësisht në rrjetë. Përpos disavantazhit, Vllaznia ka qenë më e rrezikshme, duke humbur dy mundësi të arta. Në fundin e pjesës së parë ishte Xhevahir Sukaj ai që mund të kishte realizuar, ndërsa në të dytën, Vajushi gaboi fatalisht pas një topi të kthyer nga portieri i Dinamos Alban Hoxha. Ai as shënoi dhe as pasoi në qendër, ç’ka duket se vendosi jo pak në fatet e takimit. Dinamo ndërkohë siguroi finalen e 19-të në histori.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›