E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kuq e zi” kundër Berishës: Monumenti është në Vlorë

Nisma e kryeministrit Sali Berisha për ndërtimin e një monumenti të ri të pavarësisë së Shqipërisë është kundërshtuar, përveç përfaqësuesve të politikës së majtës në qytetin e Vlorës, edhe nga “Aleanca Kuq e Zi”. Në një deklaratë të bërë dje për mediat kjo aleancë vlerëson se një iniciativë e tillë është e papranueshme, pasi monumenti ekzistues në Vlorë përfaqëson më së miri këtë ngjarje të madhe për kombin shqiptar. “Aleanca Kuq e Zi shpreh zhgënjimin e thellë pas deklaratave të kryeministrit shqiptar Sali Berisha për ndërtimin e një monumenti pavarësie me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Aleanca i bën me dije kreut të ekzekutivit që Shqipëria dhe shqiptarët e kanë një momument 17 metra të lartë në sheshin ku u ngrit flamuri i parë shqiptar kuq e zi nga Ismail Qemali. Monumenti i pavarësisë në Vlorën i ndërtuar në vitin 1972n është një vepër që i kalon kufijtë historikë”, - shprehet kjo aleancë në njoftimin e shpërndarë për mediat. Sipas kësaj aleance, “historia bëhet vetëm një herë, shkruhet me qindra herë dhe komentohet nga miliona njerëz dhe askush prej tyre nuk mund ta zhbëjë atë”. Në këtë deklaratë Aleanca Kuq e Zi bën të ditur se ka vendosur të mbrojë me çdo mënyrë dhe kusht simbolin e Vlorës dhe gjithë pavarësisë së shqiptarëve, ndërsa ka paralajmëruar se me rastin e festës disa ditë më vonë ajo do të hapë në Vlorë flamurin më të madh që mund të jetë krijuar ndonjëherë në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›