Kuqezinjtë, 3-1 ndaj Shafhauzenit
Kombëtarja shqiptare e futbollit duket se është ingranuar menjëherë në manovrën që kërkon trajneri Ari Han, duke e provuar një gjë të tillë në ndeshjen stërvitore që ka luajtur dje përballë zviceranëve të Shafhauzenit. Në këtë ndeshje, Han ka provuar të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion, duke kërkuar që të shohë gjendjen e tyre fizike dhe sportive në fund të këtij edicioni. Në të njëjtën kohë, trajneri holandez ka dashur që të përshtatë sa më mirë cilësitë e çdo lojtari më idetë e tij për lojën e ekipit. Kërkesa kryesore e tij ndaj futbollistëve ishte për pasime sa më të shpejta dhe sa më pak veprime individuale. Kjo taktikë duket se është vënë në zbatim shumë mirë nga kuqezinjtë, të cilët kanë mundur Shafhauzenin me rezultatin 3-1. Han ka marrë një sinjal më se pozitiv nga reparti i sulmit në këtë ndeshje, pasi të tre sulmuesit kryesorë kanë gjetur rrugën e rrjetës në këtë sfidë. Salihi, Bogdani dhe Kapllani kanë shënuar nga një gol në portën e Shafhauzenit duke i provuar teknikut holandez se do të ketë një detyrë të vështirë gjatë përvojës së tij në stolin kuqezi për të përcaktuar dyshen titullare. Deri tani, duket se Han ka zgjedhur si titullarë dyshen Bogdani-Salihi, por edhe prova e Kapllanit ka qenë shumë pozitive, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e rëndësishme kundër Polonisë më 27 maj. Megjithatë, fakti që kuqezinjtë pësuan gol duket se nuk e ka kënaqur shumë teknikun, i cili do të përpiqet të korrigjojë një gjë të tillë gjatë ditëve të ardhshme. Kombëtarja do të zhvillojë dy seanca stërvitore çdo ditë deri në sfidën me Poloninë, e cila do të jetë edhe ndeshja e parë "e vërtetë" që Han do të zhvillojë në stolin e kuqezinjve.